KAB Struga vazhdon aktivitetet me të rinjtë në kuadër të projektit për monitorimin e premtimeve zgjedhore

Gjatë muajit maj, Klubi Alpin KAB Struga vazhdoi zbatimin e aktiviteteve në kuadër të projektit “Monitorimi i Përmbushjes së Premtimeve Zgjedhore dhe Angazhimi Aktiv i Qytetarëve në Komunat e Strugës dhe Vevçanit”, me fokus të veçantë te të rinjtë në Strugë dhe Vevçan.
Në kuadër të projektit u organizuan me sukses dy forume rinore: Forumi Rinor në Strugë dhe Forumi Rinor në Vevçan, me qëllim informimin dhe ndërgjegjësimin e të rinjve për rëndësinë e pjesëmarrjes aktive në proceset demokratike dhe monitorimin e realizimit të premtimeve zgjedhore.
Koordinatorja e projektit, znj. Kadrije Zhaku, theksoi se gjatë takimeve të rinjtë u informuan për rëndësinë e projektit, procesin e monitorimit të premtimeve zgjedhore, si dhe nevojën për mobilizim dhe angazhim më të madh të komunitetit në ndjekjen e përmbushjes së premtimeve dhe rritjen e llogaridhënies së institucioneve lokale.
“Pjesëmarrja aktive e të rinjve është thelbësore për forcimin e transparencës dhe llogaridhënies në nivel lokal.

Përmes këtyre aktiviteteve synojmë të nxisim qytetarë më të informuar dhe më të angazhuar në zhvillimin e komuniteteve të tyre”, u shpreh Zhaku.
Të dy aktivitetet u realizuan me sukses dhe shënuan një hap të rëndësishëm drejt përfshirjes më të madhe të të rinjve në proceset e monitorimit qytetar, promovimit të vlerave demokratike dhe forcimit të rolit të tyre në jetën publike të komunave të Strugës dhe Vevçanit.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit