Propozim-ligji për mbrojtjen nga përdorimi i produkteve të duhanit ose produkteve të ngjashme është rezultat i një procesi të gjerë institucional, që ka për qëllim të sigurojë një zgjidhje ligjore moderne, të qartë dhe të zbatueshme në interes të shëndetit të qytetarëve, tha ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, sot në Qeveri, në takim me kryeministrin Hristijan Mickoski, përfaqësues të industrisë së duhanit dhe përfaqësues të sektorit të gastronomisë.
Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, sqaroi se projektligji pasqyron nevojën që kuadri ligjor të harmonizohet me realitetin bashkëkohor, ku përveç cigareve klasike përdoren gjithnjë e më shumë cigaret elektronike, produktet e duhanit pa djegie dhe forma të tjera të përdorimit të nikotinës dhe duhanit.
“Ky nuk është një ligj që miratohet me nguti, as një ligj që sillet pa dëgjuar palët e interesuara. Përkundrazi, ky është një ligj që ka kaluar nëpër një procedurë të gjerë, të detajuar dhe të argumentuar harmonizimi”, theksoi Aliu.
Ai informoi se gjatë periudhës së kaluar, procesi përfshiu bisedime me të gjitha palët relevante, si dhe harmonizim me institucionet përgjegjëse për zbatim dhe mbikëqyrje. Janë mbajtur shtatë takime pune me përfaqësuesit e industrisë së duhanit dhe pesë takime pune me përfaqësuesit e sektorit të gastronomisë, ndërsa teksti është shqyrtuar edhe me 14 organe inspektuese dhe mbikëqyrëse.
“Përmes debatit publik në ENER janë shqyrtuar 58 komente nga qytetarë, tregtarë, shoqata dhe ekspertë”, theksoi ministri Aliu.
Ai tha se gjatë përgatitjes së zgjidhjes ligjore është siguruar edhe mbështetje ekspertësh nga World Health Organization, me qëllim që teksti të harmonizohet me standardet e shëndetit publik dhe detyrimet që rrjedhin nga Konventa Kornizë për Kontrollin e Duhanit.
“Të dhënat janë të qarta dhe ato janë baza e qasjes së shëndetit publik. Duhani lidhet me mbi 3.600 raste vdekjeje në vit, përkatësisht rreth 13 për qind të të gjitha rasteve të vdekjes në shtet”, tha ministri Aliu.
Ai kujtoi se humbja ekonomike nga përdorimi i duhanit vlerësohet në 38 miliardë denarë, përkatësisht mbi 600 milionë euro në vit, që përfaqëson rreth 5,16 për qind të BPV-së. Për më tepër, tek të rinjtë e moshës 13 deri në 15 vjeç, 13,6 për qind përdorin produkte të duhanit ose nikotinës, që është shkalla më e lartë që nga viti 2002.
“Kjo tregon se bëhet fjalë për një çështje të shëndetit publik, mbrojtjes së fëmijëve, mbrojtjes së joduhanpirësve, mbrojtjes së punëtorëve dhe krijimit të rregullave të qarta në hapësirën publike”, theksoi ministri Aliu dhe shtoi se projektligji nuk ndalon prodhimin, importin, eksportin ose shitjen e produkteve të duhanit, por rregullon përdorimin dhe promovimin e tyre aty ku ato mund të ndikojnë në shëndetin e njerëzve të tjerë. Me këtë zgjidhje parashikohen rregulla më të qarta për hapësirat e mbyllura, tarracat, reklamimin, promovimin, mbikëqyrjen dhe mbrojtjen e fëmijëve.
“Sot mund të themi se para nesh kemi një tekst që është rezultat i një procesi kompleks dëgjimi, argumentimi dhe harmonizimi. Ky ligj i mbron ata që më së paku mund ta mbrojnë veten – fëmijët, të punësuarit dhe joduhanpirësit”, porositi ministri Aliu.





