Mot me diell dhe i ngrohtë, pasdite mundësi për reshje të shkurtra shiu

Moti sot do të jetë me diell dhe i ngrohtë, me vranësira të vogla deri mesatare. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu.

Në orët e pasdites pritet paraqitje e izoluar e motit të paqëndrueshëm, e shoqëruar me reshje të shkurtra shiu, bubullima dhe erë të përforcuar.

Sipas Drejtorisë për Punë Hidrometeorologjike, temperatura minimale do të lëvizë nga 10 deri në 17 gradë, ndërsa maksimalja do të arrijë nga 29 deri në 34 gradë Celsius.

Në Shkup moti do të jetë me diell dhe i ngrohtë, me vranësira të vogla deri mesatare. Pasdite, në disa pjesë të luginës do të ketë kushte për paraqitje të motit të lig lokal. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu. Temperatura minimale do të zbresë në 16 gradë, ndërsa maksimalja do të arrijë deri në 34 gradë.

Të enjten në më shumë vende pritet mot i paqëndrueshëm me reshje të rrëmbyeshme shiu, bubullima dhe erë të fuqishme. Lokalisht, sot dhe të enjten proceset mund të jenë më intensive, në formë stuhie me reshje më të dendura, shkarkime elektrike, erë mbi 60 kilometra në orë dhe kushte për paraqitje të breshrit.

Nga e premtja pritet stabilizim i përkohshëm i motit.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit