Harrone Bitcoinin, kjo kriptovalutë po shpërthen…?

Advertisement

Kriptovaluta Zcash, e cila është e fokusuar në mbrojtjen e privatësisë së përdoruesve, këtë vit shënoi një rritje të vlerës prej rreth 3.000 për qind, duke tërhequr një interes të jashtëzakonshëm te investitorët.

Ngritja e saj hapi një garë të re mes vëllezërve miliarderë Cameron dhe Tyler Winklevoss dhe investitorit të njohur Barry Silbert, të cilët po investojnë miliona dollarë në gërmim (mining) dhe në zhvillimin e produkteve financiare të lidhura me këtë kriptovalutë.

Investitorët që ndër të parët e dalluan potencialin e bitcoin-it, tani po shohin një mundësi të re për fitim te Zcash, një kriptovalutë që ekziston prej gati një dekade, por që së fundmi u gjend sërish në qendër të vëmendjes.

Rivalët e vjetër në një garë të re për fitim

Ndër investitorët më të njohur që dëshirojnë të profitojnë nga rritja e Zcash janë vëllezërit Winklevoss, bashkëthemelues të platformës së kriptovalutave Gemini, dhe Barry Silbert, drejtor i kompanisë Digital Currency Group (DCG).

Të dyja palët po i zgjerojnë operacionet e tyre të gërmimit, ndërsa në të njëjtën kohë po përpiqen të tërheqin kapital shtesë përmes fondeve investuese dhe produkteve të tjera financiare.

Vëllezërit Winklevoss po zbatojnë strategjinë që u solli pasuri gjatë ngritjes së bitcoin-it – investim i hershëm në një kriptovalutë dhe zhvillimi i biznesit të lidhur me ekosistemin e saj.

Silbert, nga ana tjetër, ka filluar të investojë në bitcoin rreth vitit 2012 dhe ka themeluar fonde që u kanë mundësuar investitorëve një qasje më të lehtë në tregun e valutave digjitale.

Kompanitë e tyre prej vitesh kanë qenë si bashkëpunëtorë ashtu edhe konkurrentë, ndërsa mes tyre ka pasur edhe mosmarrëveshje publike të lidhura me programin Gemini Earn.

Tani Zcash është bërë një fushë e re garimi.

„Me Zcash duket sikur historia po përsëritet“, deklaroi Cameron Winklevoss, kryetar i Gemini, në konferencën Token2049 në Singapor.

Sipas tij, investitorët sot kanë një mundësi të ngjashme me atë që ekzistonte në vitet e hershme të bitcoin-it.

Privatësia bëhet aduti më i madh
Arsyeja kryesore për interesin e rritur ndaj Zcash është mundësia për një privatësi më të madhe gjatë transaksioneve financiare.

Për dallim nga shumë kriptovaluta të tjera, Zcash u mundëson përdoruesve të fshehin detajet e transaksioneve të caktuara, nëse e zgjedhin atë opsion.

Kjo karakteristikë po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme në një kohë kur zhvillimi i inteligjencës artificiale mundëson analizë më të shpejtë të sasive të mëdha të të dhënave, përfshirë edhe gjurmimin e aktiviteteve në rrjetet publike blockchain.

Përveç kësaj, rasteve të shpeshta të vjedhjeve dhe sulmeve ndaj pronarëve të kriptovalutave po ua shton interesin për teknologji që mundësojnë mbrojtje më të mirë të informacioneve për pasurinë digjitale.

Sipas analistit Thomas Probst nga kompania Kaiko, interesi fillestar është nxitur pikërisht nga mundësia e privatësisë.

Pasi investitorë me ndikim filluan ta paraqesin Zcash-in si një alternativë të bitcoin-it me mekanizma shtesë për mbrojtjen e informacioneve financiare, filloi të mbërrinte kapital i ri, gjë që kontribuoi në rritjen e çmimit.

Miliona dollarë për fuqi më të madhe gërmimi

Kompanitë Cypherpunk Technologies, prapa së cilës qëndrojnë vëllezërit Winklevoss, dhe Fortitude Mining, e mbështetur nga Silbert, po bëhen lojtarë të rëndësishëm në gërmimin e Zcash.

Të dyja kompanitë planifikojnë të investojnë dhjetëra miliona dollarë në rritjen e fuqisë kompjuterike, me qëllim që të sigurojnë një pjesë më të madhe në aktivitetet e gërmimit.

Fortitude Mining ka ambicie të arrijë 20 për qind të kapacitetit të përgjithshëm të gërmimit, ndërsa Cypherpunk, sipas të dhënave të publikuara, dispunon me përafërsisht një të pestën e fuqisë kompjuterike të rrjetit.

Ngjashëm si te bitcoin-i, gërmuesit e Zcash garojnë për shpërblime në monedha të reja digjitale. Fuqia më e madhe kompjuterike sjell edhe shanse më të mëdha për marrjen e shpërblimeve, por kjo nuk do të thotë se kompanitë mund ta kontrollojnë drejtpërdrejt çmimin e tregut.

Gara zgjerohet edhe në fondet investuese

Konkurrenca mes investitorëve të mëdhenj nuk kufizohet vetëm në gërmim.

Vëllezërit Winklevoss kanë dorëzuar kërkesë për regjistrimin e fondit të tyre të bursës (ETF) të lidhur me Zcash, me çka dëshirojnë të tërheqin edhe investitorë tradicionalë që preferojnë produkte financiare të rregulluara.

Ethan Vera, drejtor operativ i Luxor Technology, ka deklaruar se disa investitorë dhe gërmues të mëdhenj nga SHBA-ja dhe Kina i kanë rritur aktivitetet për blerjen dhe gërmimin e Zcash.

Sidoqoftë, ndikimi në rritje i kompanive të mëdha po shkakton edhe shqetësim për shkak të përqendrimit të mundshëm të fuqisë gërmuese.

Kur një numër i vogël kompanish kontrollon një pjesë të konsiderueshme të burimeve kompjuterike, mund të vihet në pyetje decentralizimi, i cili është një nga parimet bazë të kriptovalutave.

Rreziqet nga sulmet hakerike dhe rregulloret më të rrepta

Pavarësisht rritjes së fuqishme, Zcash përballet me rreziqe të Serioze teknologjike dhe rregullatore.

Në maj, një hulumtues i sigurisë kompjuterike, duke përdorur modelin e inteligjencës artificiale Claude të kompanisë Anthropic, zbuloi një lëshim kritik të sigurisë që kishte ekzistuar prej vitesh në sistem.

Po të keqpërdorej, ky lëshim mund të kishte mundësuar krijimin e një numri të pakufizuar monedhash digjitale, gjë që do ta rrezikonte besimin te kjo kriptovalutë.

Problem shtesë paraqet mundësia e rregulloreve më të rrepta për kriptovalutat e fokusuara në privatësi.

Rregullatorët paralajmërojnë se fshehja e të dhënave për transaksionet mund të keqpërdoret për aktivitete financiare të paligjshme.

Eric Jardine, drejtues i hulumtimeve në Chainalysis, mendon se mungesa e transparencës mund t’u mundësojë individëve t’i shmangen kontrollit nga institucionet kompetente.

Për këtë arsye, kufizimet ose ndalimet e mundshme në tregje të caktuara mund të ndikonin dukshëm në tregtimin me Zcash

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit