“Mavrova” drejt modernizimit të ofertës turistike

Drejtoria e Parkut Nacional “Mavrova” mori pjesë në ceremoninë solemne që u mbajt në Prishtinë, ku u prezantua projekti i miratuar në kuadër të bashkëpunimit ndërkufitar Kosovë – Maqedonia e Veriut nga programet IPA 3, i cili ka filluar në vitin 2021 dhe do të zgjasë deri në vitin 2027. Parku Nacional “Mavrova”, në projektin “Çdo hap është i nevojshëm”, merr pjesë si partner në projektin që realizohet nga Parku Nacional “Sharri” i Kosovës, ndërsa partnerë të tjerë janë edhe Parku Nacional “Mali Sharr” dhe Komuna e Tearcës.

 

Drejtori i Parkut Nacional “Mavrova”, Haris Ibraimi, i cili mori pjesë në ceremoninë në Prishtinë, informoi se aktiviteti ka të bëjë me zhvillimin e ekoturizmit në rajon si model për financim të qëndrueshëm për mbrojtjen ndërkufitare të pasurive natyrore dhe përballjen me ndryshimet klimatike. “Buxheti i projektit në fjalë është 573.315 euro dhe paraqet një investim shumë domethënës për zhvillimin e bashkëpunimit rajonal, turizmit të qëndrueshëm, si dhe për mbrojtjen e pasurive natyrore dhe promovimin e parqeve nacionale në rajonin e Ballkanit”, thuhet në informacionin e drejtorit të Parkut Nacional “Mavrova”, Haris Ibraimi.

 

Ibraimi theksoi gjithashtu se në kuadër të këtij projekti në Parkun Nacional “Mavrova” janë paraparë aktivitete që lidhen me digjitalizimin dhe modernizimin e ofertave turistike, përmes realizimit të ueb-faqeve dhe aplikacioneve moderne, ku vizitorët do të mund të marrin më shumë informacione. Drejtori i Parkut Nacional “Mavrova”, në aktivitetin që u mbajt në Prishtinë, informoi të pranishmit se ky park vazhdon të realizojë aktivitete që kanë të bëjnë me mbrojtjen e pasurive natyrore, si flora dhe fauna, investimet në zhvillimin e vetëdijes ekologjike, si dhe bashkëpunimin ndërkufitar mes parqeve nacionale të vendeve të rajonit.

 

Burimi në fjalë gjithashtu informoi se takimi në Prishtinë ka pasur efekte të mëdha, pasi pikërisht në kryeqendrën e Kosovës është diskutuar edhe për mekanizmat e përbashkët për mbrojtjen e mjedisit jetësor. Po ashtu, është potencuar nevoja për koordinim institucional dhe aktivitete profesionale për realizimin e projektit në fjalë. (koha.mk)

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit