Peshku i Artë: Ajana Zhaku rrëmben çmimin e parë me këngën “Rrezet e Diellit”

Mbrëmja finale e festivalit për fëmijë Peshku i Artë solli emocione të veçanta dhe interpretime mbresëlënëse nga talentët e rinj, ndërsa një nga momentet më të bukura të natës ishte triumfi i talentit të ri Ajana Zhaku, e cila u shpall fituese me këngën “Rrezet e Diellit”.

 

Kënga u vlerësua maksimalisht nga publiku dhe juria profesionale falë mesazhit të saj të fuqishëm për dashurinë, shpresën dhe ngrohtësinë njerëzore. Teksti, kompozimi dhe orkestrimi u realizuan nga Vullnet Ibraimi, i cili solli një krijim emocional dhe shumë të ndjerë për fëmijët dhe botën e tyre.

 

Një emocion të veçantë performancës i dhanë edhe vajzat e grupit të vallëzimit Art Dance, të cilat morën pjesë në skenografi dhe me interpretimin e tyre artistik e bënë këngën edhe më prekëse dhe më të fuqishme në skenë.

 

Festivali u organizua nën përkujdesjen e Fitore Istrefi Alushi, e cila u përkujdes që edicioni i 13-të të sillte profesionalizëm, emocione dhe promovim të talenteve të rinj në skenën muzikore për fëmijë.

 

Në tekstin e këngës përcillet një mesazh i bukur human dhe plot dritë:

 

“Ejani me mua të ikim larg,

çdo zemër fëmije ta ngrohim ne pak,

me rrezet e diellit që ne do shpërndajmë,

lotin e syrit do ja thajmë.”

 

Juria profesionale, e përbërë nga Avni Qaili, Muhamet Rexhepi dhe Alije Arsllani, e vlerësoi performancën si një ndër paraqitjet më të kompletuara të festivalit, duke veçuar interpretimin emocional të Ajanës, mesazhin e këngës dhe paraqitjen skenike.

 

Fitorja e Ajana Zhaku në këtë edicion të festivalit konsiderohet një sukses i madh dhe një premtim i bukur për të ardhmen artistike të saj.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit