BDI: Nedim Rama hesht për pasurinë e fshehur, institucionet duhet menjëherë ta hetojnë

Prej disa ditësh, drejtori i NOMAGAS, Nedim Rama, hesht në vend që t’ia spjegojë opinionit publik se si me pagën e një të punësuari në Komunën e Çairit, e më pas si këshilltar i Izet Mexhitit, ka arritur të krijojë kapital të madh financiar, në prona të paluajtshme dhe aktivitete biznesi.
Përveç mungesës së përgjigjeve dhe transparencës, publiku deri më tani nuk ka parë asnjë sqarim për pasurinë për të cilën posedojmë prova. Përkundrazi, VLEN lëshon anketa të porositura për epërsi të rrejshme ndaj BDI-së.
Gjatë ditëve të kaluara, BDI publikoi një sërë të dhënash që hapin pyetje serioze për pasurinë e fituar të Ramës.
Përmes kompanisë “Near 2015”, e lidhur me të dhe me Kaltrina Zekolli Shaqirin, janë kryer pagesa për reprezentacione dhe shërbime hotelerie pikërisht në periudhën kur ata ushtronin funksione publike.
Më pas, hapëm edhe çështjen e kompanisë IT “HOST MKD”, përmes së cilës janë faturuar shërbime edhe ndaj institucioneve, mes tyre edhe ndaj Komunës së Çairit, në kohën kur Rama ishte i punësuar aty.
E njëjta kompani më vonë e ndryshon emrin dhe strukturën pronësore, ndërsa gjurmët e pronësisë transferohen te persona të afërt me rrethin politik të VLEN-it.
Dyshimin më të madh megjithatë e hap pasuria luksoze dhe bizneset e Nedim Ramës.
Publiku mësoi se ai posedon dhe jep me qira apartamente luksoze në Mavrovë, të cilat reklamohen me çmime rreth 150 euro për natë, ndërsa paralelisht lidhet edhe me biznesin rent-a-car me automjete të regjistruara për punë në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit.
Shtesë shqetësuese është fakti se në të gjithë këtë rreth paraqiten edhe struktura mediatike.
Po flasim për një rrjet serioz interesash politike e biznesore për të cilat publiku ka të drejtë të dijë:
Si ka mundësi që një person që deri dje ishte funksionar komunal dhe këshilltar, sot disponon kapital për apartamente luksoze, flotë automjetesh dhe disa kompani?
Nga vijnë paratë?
Kush e financoi këtë rritje?
Prandaj sot kërkojmë publikisht:
Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit menjëherë të hapë procedurë të detajuar për verifikimin e gjendjes pasurore të Nedim Ramës, i cili madje nuk ka paraqitur fare fletë anketuese;
Drejtoria e Policisë Financiare të zhvillojë hetim financiar për prejardhjen e kapitalit;
Prokuroria Themelore Publike të konstatojë nëse ekzistojnë elemente të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, pastrimit të parave apo konfliktit të interesit.
Atë që publikoi BDI pa dyshim se do t’ua dorëzojë edhe institucioneve prej të cilave presim të veprojnë në mënyrë aktive.
Institucionet nuk guxojnë të heshtin, sepse drejtësia nuk e duron heshtjen!

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit