Malajzia do të zbatojë nga 1 qershori masa të reja për mbrojtjen e fëmijëve në hapësirën digjitale, me synim kufizimin e ekspozimit ndaj përmbajtjeve të dëmshme në platformat online.
Sipas Komisionit të Komunikimeve dhe Multimedias në Malajzi, ofruesit e shërbimeve online do të detyrohen të vendosin mekanizma mbrojtës që kufizojnë krijimin dhe përdorimin e llogarive nga përdoruesit nën moshën 16 vjeç.
Platformat do të duhet gjithashtu të forcojnë sistemet e menaxhimit të përmbajtjes, duke aplikuar kufizime sipas moshës për funksione me rrezik të lartë, si dhe mekanizma më efektivë për raportim dhe reagim ndaj përmbajtjeve problematike.
Masat e reja parashohin edhe verifikim më të fortë të reklamuesve dhe etiketim të përmbajtjeve të manipuluara kur kjo konsiderohet e nevojshme.
Autoritetet malajziane kanë bërë të ditur se platformat online do të kenë një periudhë tranzitore për zbatimin e rregullave të reja, megjithëse detajet e kësaj faze ende nuk janë bërë publike.
Në vitet e fundit, Malajzia ka shtuar mbikëqyrjen ndaj rrjeteve sociale për shkak të rritjes së mashtrimeve online, bullizmit kibernetik dhe përmbajtjeve që lidhen me çështje të ndjeshme sociale.
Qeveria po planifikon gjithashtu vendosjen e verifikimit të moshës për përdoruesit gjatë këtij viti, duke ndjekur trendin global për forcimin e mbrojtjes së të miturve në internet./KultPlus.com





