Sipërmarrësja Fahrije Hoti, e cila ka vendosur të garojë për zgjedhjet e 7 qershorit, krah ish-presidentes Vjosa Osmani në listën e LDK-së, sot është e ftuar në emisionin ‘Kosova Today’ në Klan Kosova, në një intervistë ekskluzive.
Nga dhimbja personale e traumat e luftës, Hoti foli deri te bashkimi me Osmanin dhe vendimi që të futet në politikë, konkretisht në Kuvendin e Kosovës.
Ajo tha se çdo rrugëtim e ka nisur nga zero, prandaj është optimiste se me ish-presidenten, e cila siç tha ajo e ka përfaqësuar vendin më së miri, do t’i përfaqësojnë dinjitetshëm qytetarët.
“Unë kam nisur gjithmonë një rrugëtim nga zero dhe kam arritur këtu ku jam, sa i përket biznesit. Nuk vi nga politika, vi nga biznesi, jam bashkangjitur me LDK-në, konkretisht presidentes, që ka qenë presidentja më e mirë që na ka përfaqësuar në arenën ndërkombëtare dhe brenda në Kosovë. Unë kam qenë mesazh i mirë që në fakultete ndërkombëtare kanë mbrojtur tema të diplomes me historinë time, u kam ndihmuar shumë grupe të grave në Kosovë të bëhen bashkë të nisin diçka të ndërtojnë. Sot falë historisë dhe rrugëtimit tim, ka grupe të grave në tërë Kosovën që kanë marrë iniciativa të njëjta në tërë Kosovën, besoj që kam me iu qenë afër prapë edhe nëse kam fatin të jem deputete e parlamentit të Kosovës”, tha Hoti.





