Mustafa Dauti priti studentët e UNT-së në vizitë studimore në Doganë

Zëvendësdrejtori i Doganës, Mustafa Dauti, gjatë ditës së sotme priti në vizitë studentët e Universiteti “Nënë Tereza” nga drejtimi Doganë, Shpedicion dhe Sigurime.
Dauti e cilësoi këtë vizitë si të veçantë dhe frymëzuese, duke theksuar se pati mundësinë të ndajë me studentët përvoja dhe mendime lidhur me rëndësinë e profesionit që ata kanë zgjedhur.
Në fjalën e tij para studentëve, ai shprehu mirënjohje për përkushtimin e tyre ndaj dijes dhe zhvillimit profesional, duke i inkurajuar që të vazhdojnë rrugëtimin akademik me besim në aftësitë dhe potencialin e tyre.
“Të rinjtë dhe studentët janë e ardhmja e shtetit tonë dhe një vlerë e rëndësishme për institucionet tona. Përmes dijes, energjisë dhe profesionalizmit të tyre ndërtohet një administratë më e fortë dhe një shoqëri më e zhvilluar”, theksoi Dauti.
Gjatë vizitës, studentët patën mundësinë të dëgjojnë ligjërata nga profesionistë doganorë dhe të njihen nga afër me procedurat dhe funksionimin e sistemit doganor. U diskutuan tema që lidhen me procedurat doganore, sfidat me të cilat përballet institucioni, si dhe çështje të tjera me interes për zhvillimin e tyre profesional dhe akademik.
Po ashtu, studentët panë nga afër rezultatet e arritura të Doganës, duke dëshmuar rolin e saj si një nga shtyllat kryesore të shtetit në mbrojtjen e ekonomisë, sigurisë dhe mbushjen e buxhetit, si dhe në luftën kundër krimit dhe aktiviteteve të paligjshme.
Bashkëbisedimi u vlerësua si shumë konstruktiv dhe interaktiv, duke reflektuar interesimin dhe seriozitetin e studentëve ndaj fushës që studiojnë.
Në fund, Dauti theksoi se vizita la përshtypje shumë pozitive dhe se bashkëpunime të tilla kontribuojnë në afrimin e studentëve me institucionet dhe praktikën profesionale.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit