Muhamet Hoxha informoi se Ligji për Natyrën tashmë është publikuar në ENER – Regjistrin e vetëm elektronik nacional dhe është hapur për komente publike, ndërsa në vijim pritet të organizohen edhe debate publike me palët e interesuara.
Sipas ministrit, me miratimin e këtij ligji pritet të forcohet sistemi për mbrojtjen e natyrës, të përmirësohet menaxhimi i burimeve natyrore, si dhe të realizohet harmonizimi me direktivat evropiane dhe obligimet ndërkombëtare të shtetit në fushën e mjedisit jetësor dhe biodiversitetit.
Ai paralajmëroi gjithashtu se ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për shtigjet malore së shpejti do të dërgohen në procedurë qeveritare.
Në kuadër të obligimeve për mbrojtjen e trashëgimisë natyrore dhe përafrimin me standardet evropiane, në brifing u ndanë informacione edhe për ligjin që lidhet me Kënetën e Bellçishtës.
Po ashtu, u prezantuan aktivitetet për vendosjen e Regjistrit Digjital të ndotësve, ku u theksua se aktualisht po zhvillohet faza e harmonizimit ligjor për shpërndarjen dhe integrimin e të dhënave në bazën ekzistuese.
Ministria njoftoi se javën e ardhshme do të zhvillojë takime me organizatat qytetare nga fusha e mjedisit jetësor, si dhe me kompanitë që posedojnë leje ekologjike të integruara A, me qëllim të përgatitjes në kohë për obligimet që dalin nga Ligji i ri për kontrollin e emisioneve, i cili do të hyjë në fuqi në shtator të vitit 2027.
Ministri Hoxha theksoi se transparenca dhe partneriteti me publikun mbeten elemente kyçe në ndërtimin e një sistemi më të shëndetshëm dhe më të qëndrueshëm për mbrojtjen e mjedisit jetësor.





