Kryeministri Hristijan Mickoski sot, së bashku me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Transportit Aleksandar Nikolloski dhe drejtorin e Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore Koce Trajanovski, po zhvillojnë vizitë në projektet infrastrukturore që realizohen në pjesën perëndimore të Korridorit 8.
Pas inspektimit të punimeve ndërtimore në autostradën Tetovë-Gostivar dhe Gostivar-Bukojçan, zëvendëskryeministri Nikolloski theksoi se punimet po zhvillohen me dinamikën e nevojshme. Të gjitha sfidat në trasenë po zgjidhen me koordinim të mirë ndërmjet institucioneve, ndërsa Qeveria i ka mundësuar kompanisë realizuese front të hapur pune në të gjithë trasenë.
“Ne shumë shpesh flasim për këto projekte në paraqitjet tona publike, në konferenca për shtyp dhe intervista, por tani mund të shihet drejtpërdrejt. Tashmë kaluam seksionin e parë, autostradën nga Tetova në Gostivar. Në opinion ekziston perceptimi se ajo është autostradë, por në thelb është rrugë ekspres dhe për herë të parë në këtë segment do të ndërtohet autostradë e vërtetë. Seksioni i dytë është ai ku ndodhemi tani. Diçka që për shumëkënd ishte e paimagjinueshme, që një ditë të ketë autostradë që do ta anashkalojë Strazhën dhe pjesën më të vështirë të lidhjes me Ohërin, Strugën dhe gjithë Korridorin 8. Mund të shihni para nesh se si punohet intensivisht në ura, në hapjen e trasës së autostradës dhe në shpate — vërtet po realizohen punë të jashtëzakonshme inxhinierike. Si Qeveri po bëjmë gjithçka për t’u dhënë mundësi kompanive realizuese që sa më shpejt t’i përfundojnë këto projekte në mënyrë që qytetarët t’i përdorin. Kjo është shumë e rëndësishme edhe për BPV-në. Jam krenar që në tremujorin e tretë të vitit të kaluar rritja në ndërtimtari ishte 21%, ndërsa në tremujorin e katërt 16,7%. Presim rezultate të mira edhe për tremujorin e parë të këtij viti dhe që ky trend të vazhdojë edhe në periudhën e ardhshme”, theksoi Nikolloski.
Ai potencoi tri sfida në ndërtimin e këtyre segmenteve. E para ka të bëjë me dislokimin e linjave telekomunikuese ndërkombëtare dhe të brendshme, instalimeve elektrike dhe sistemit të furnizimit me ujë për Pollogun.
“Pjesa e dytë, për fat të keq duhet ta them, është se Qeveria e kaluar për dy vite nuk kishte bërë asgjë. Kjo nuk është vetëm pretendim imi apo i kryeministrit ose i drejtorit të NPSHR-së. Për këtë, në muajin nëntor morëm njoftim zyrtar nga inxhinieri mbikëqyrës, i cili kërkoi vazhdimin e afatit për përfundimin e projektit për të paktën dy vite. Kjo për shkak se duhej të kompensoheshin ato dy vite të humbura nga Qeveria e kaluar dhe ne nuk kishim zgjidhje tjetër përveçse ta pranonim këtë, kështu që afati do të shkojë të paktën deri në dhjetor 2029, edhe pse kjo nuk do të thotë se projekti nuk mund të përfundojë më herët”, tha Nikolloski.
Ai shtoi se segment i rëndësishëm është edhe lidhja me komunat që gravitojnë përgjatë trasës së autostradës.
Pas vizitës në këto segmente autostradore, do të bëhet inspektim edhe i ndërtimit të “Galerive” në trasenë e autostradës Ohër-Kërçovë, rehabilitimit të qafës malore Preshekë, si dhe nyjës rrugore Trebenishtë, e cila së fundmi u lëshua në përdorim.





