“BLESOK 26” në Krivolak: Ushtria “e gatshme për mision” para zyrtarëve të lartë të NATO-s dhe shtetit

Sot, më 27 prill 2026, në poligonin ushtarak “Krivolak” u realizua Dita për mysafirë të lartë e ushtrimit “BLESOK 26”, transmeton Portalb.mk.

Në ngjarje morën pjesë: presidentja dhe komandantja supreme e Forcave të Armatosura Gordana SiljanovskaDavkova, ministri i Mbrojtjes Vllado Misajlovski, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë gjeneral-major Sashko Lafçiski, komandanti i korpusit të NATO-s për dislokim të shpejtë – Greqi gjeneral-lejtnant Grigorios Bountliakis, shefi i J-9 në Komandën e Forcave të Përbashkëta të NATO-s në Napoli kundëradmiral Torsten Marks, gjeneralë nga Ushtria, korpusi ushtarako-diplomatik, përfaqësues të pushtetit lokal dhe mysafirë të tjerë.

Në fjalimin e saj, presidentja Siljanovska-Davkova tha se Ushtria e vendit është faktor stabiliteti dhe ruajtëse e paqes globale.

“Sot më shumë se 180 pjesëtarë të Ushtrisë, nën flamurin maqedonas, janë të përfshirë në misione dhe operacione paqeruajtëse.”

Presidentja theksoi se “ushtrimi BLESOK 26 është një konfirmim inkurajues dhe frymëzues se Ushtria maqedonase e kupton natyrën e kohës në të cilën jetojmë dhe po përgatitet seriozisht për sfidat që ajo sjell”.

Foto: Armata e RMV-së
Foto: Armata e RMV-së

Ministri Misajllovski, pas demonstrimit të ushtrimit, theksoi se të pranishmit ishin dëshmitarë jo vetëm të demonstrimit të aftësive, por edhe të disiplinës, saktësisë dhe profesionalizmit të lartë.

“Ushtria maqedonase bën një hap historik përpara në kapacitetet e saj. Operojmë me pajisje të reja dhe të sofistikuara, si çdo ushtri tjetër e NATO-s. Pjesëtarët tanë janë në të njëjtin nivel me aleatët. Kemi interoperabilitet të plotë, që na mundëson të mbrojmë së bashku atë që është më e shenjta për ne – lirinë, atdheun, demokracinë dhe vlerat tona”, tha Misajllovski.

Foto: Armata e RMV-së
Foto: Armata e RMV-së

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral-major Lafçiski, në fjalën e tij tha se qëllimi më i madh i aftësisë në NATO, grupi i batalionit të këmbësorisë së lehtë, ka fituar statusin ‘mission capable’ apo ‘e gatshme për luftë’.

“Ky është një sukses i madh që vjen si rezultat i një drejtimi të qartë strategjik dhe pune të palodhur”, tha ai.

Kundëradmirali Torsten Marks theksoi se vendi është një aleat i fortë dhe i besueshëm i NATO-s, duke deklaruar se që nga anëtarësimi në NATO në vitin 2020, RMV-ja e ka përmirësuar ndjeshëm pozicionin mbrojtës.

“Investoni mbi 2 për qind të PBB-së në mbrojtje dhe kontribuoni në misionet e NATO-s, përfshirë KFOR-in dhe grupet luftarake të NATO-s. Kjo tregon përkushtim të vërtetë ndaj Aleancës dhe sigurisë sonë të përbashkët”, tha ai.

Ai shtoi se “BLESOK 26 qartë demonstron interoperabilitetin në praktikë”, duke shprehur kënaqësinë që grupi i batalionit të këmbësorisë së lehtë është vlerësuar si “i gatshëm për kryerjen e misionit të tij”.

Foto: Armata e RMV-së
Foto: Armata e RMV-së

Ushtrimi “BLESOK 26” është vazhdim i serisë së ushtrimeve “Macedonian Blesok”. Në këtë ushtrim, ku morën pjesë mbi 1.500 pjesëtarë të Ushtrisë, u bë edhe vlerësimi i qëllimit të aftësisë së NATO-s – grupi i batalionit të këmbësorisë së lehtë (LPBG), i cili nga ekipi vlerësues dhe monitorët e NATO-s fitoi statusin “i gatshëm për kryerjen e misionit”. Me këtë vlerësim, njësia konfirmoi nivelin e saj të trajnimit, gatishmërinë e lartë luftarake dhe interoperabilitetin me aleatët.

Foto: Armata e RMV-së
Foto: Armata e RMV-së

Ndryshe, Maqedonia e Veriut sivjet mbushi plot 6 vjet që është pjesë e NATO-s. Më 27 Mars 2020, vendi zyrtarisht u bë anëtar i NATO-s, ndërsa më 30 mars, flamuri i Maqedonisë, si flamuri i vendit aleat të 30, u ngrit në selinë e NATO-s në Bruksel, përpara Komandës supreme të forcave aleate (SHAPE) – Komanda aleate për operacione në Mons, Belgjikë dhe Komanda aleate për transformime në Norfolk, Virxhinia, SHBA.

 

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit