BDI nis procedurën për ndryshime kushtetuese

Deputetët e Frontit Evropian njoftojnë fillimin e procedurës për sigurimin e nënshkrimeve të nevojshme parlamentare për inicimin e ndryshimeve kushtetuese, si një hap i domosdoshëm dhe i përgjegjshëm institucional për avancimin e procesit të integrimit evropian të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Kjo iniciativë mbështetet në mundësinë kushtetuese të paraparë në nenin 130 të Kushtetutës, sipas të cilit propozimi për ndryshimin e Kushtetutës mund të paraqitet nga së paku 30 deputetë. Prandaj, duke filluar nga sot, u bëjmë thirrje të gjithë deputetëve në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, si të shumicës parlamentare, ashtu edhe të opozitës,përfshirë deputetët e Aleancës për Shqiptarët, deputetët e pavarur, si dhe përfaqësuesit e të gjitha partive politike që e shohin të ardhmen e vendit në Bashkimi Evropian, e sidomos deputetët e VLEN-it, që të japin mbështetjen e tyre duke nënshkruar këtë iniciativë.
Kjo nuk është një çështje që lidhet me interesa partiake apo kalkulime politike. Kjo është një çështje thelbësore e orientimit strategjik të shtetit dhe e së ardhmes së qytetarëve tanë.
Republika e Maqedonisë së Veriut ka humbur dy vite në bllokim të plotë të procesit
eurointegrues, pa asnjë hap përpara. Ky është momenti për hapin kyç që do të zhbllokojë
procesin dhe do të mundësojë vazhdimin real të negociatave me Bashkimin Evropian.
Nuk mund të fshihemi më pas arsyetimeve të përkohshme. Rajoni po ecën përpara. Mali i Zi është në një fazë të avancuar të negociatave, ndërsa Shqipëria ka hapur të gjithë klasterët negociues. Ndërkohë, Maqedonia e Veriut rrezikon të mbetet pas për shkak të mungesës së vendimeve politike dhe përgjegjësisë shtetërore.
Hulumtimet e fundit tregojnë qartë se mbi 70 për qind e qytetarëve mbështesin anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian. Kjo është dëshmi e qartë se orientimi strategjik i qytetarëve tanë është i palëkundur. Evropa nuk është vetëm një bashkësi shtetesh, ajo është një familje që garanton të drejta, barazi dhe perspektivë për të ardhmen.
Prandaj, pyetja sot nuk është më nëse qytetarët janë për Evropën. Pyetja është nëse deputetët janë të gatshëm të veprojnë për këtë rrugë.
Duke filluar nga sot, çdo deputet ka mundësinë të përcaktohet qartë: për zhbllokimin e
procesit apo për vazhdimin e bllokadës; për rrugën evropiane apo për izolim; për të ardhmen e vendit apo për kalkulime të ngushta partiake.
Në mënyrë të veçantë, u bëjmë thirrje deputetëve të VLEN-it që të japin mbështetjen e tyre përmes nënshkrimit të kësaj iniciative, duke materializuar zotimet e dhëna para qytetarëve për vazhdimin e procesit eurointegrues. Para zgjedhjeve, liderët e tyre u zotuan me nënshkrimin personal në deklaratë të përbashkët se nuk do të bëhen pjesë e një qeverie e cila nuk do ta vazhdojë procesin eurointegrues.
Pas hyrjes në qeveri, kërkuan gjashtë muaj kohë. Më pas kaluan edhe gjashtë muaj të tjerë.
Sot kanë kaluar katër cikle të tilla kohore dhe ende nuk kemi parë asnjë veprim konkret që
dëshmon përkushtim real për zhbllokimin e procesit eurointegrues. Kjo e bën të
domosdoshme që premtimet e dhëna të shndërrohen në veprime konkrete institucionale.
Sot nuk kërkohen deklarata dhe arsyetime. Kërkohet veprim konkret. Nënshkrimi është akt
politik, përgjegjësi dhe dëshmi e besueshmërisë ndaj qytetarëve.
Me këtë status të bllokuar, nuk rrezikohet vetëm procesi eurointegrues. Rrezikohet edhe
stabiliteti strategjik i vendit dhe themelet mbi të cilat është ndërtuar ai, përfshirë
Marrëveshjen e Ohrit, Marrëveshjen e Prespës dhe Marrëveshjen për Fqinjësi të Mirë. Këto
nuk janë dokumente të së kaluarës, por baza e stabilitetit dhe e perspektivës euroatlantike të vendit.
Në të njëjtën kohë, kemi detyrim si shtet dhe si përfaqësues politikë të arsyetojmë besimin që na është dhënë nga partnerët tanë strategjikë, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian. Ky besim kërkon vendime konkrete, përgjegjësi politike dhe veprim në kohë.
Ne, si deputetë të Frontit Evropian, jemi të gatshëm ta bëjmë hapin tonë. Tani është radha e të gjithë deputetëve të tjerë që besojnë në të ardhmen evropiane të vendit.
I ftojmë të gjithë: vendosni nënshkrimin tuaj, zhbllokoni procesin dhe jepini vendit mundësi.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit