Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se pret përfundimin në afat të njërit prej objekteve që po ndërtohen në kuadër të projektit “Kryeqyteti Evropian i Kulturës”, duke theksuar se pas vonesave të shumta në të kaluarën, procesi tashmë ka marrë dinamikën e duhur.
Ai u shpreh se të gjitha objektet e planifikuara duhet të përfundojnë deri në vitin 2028, ndërsa objekti konkret që ndodhet në fazë ndërtimi është një ndër projektet kyçe.
Mickoski theksoi se është mirënjohës në emër të tij dhe të qytetarëve të Shkupit që, pas shumë peripecive, ky objekt më në fund po merr formë dhe pritet të ketë një pamje tërheqëse.
“Siç pashë nga prezantimi i projektuesit, bëhet fjalë për një vepër vërtet të bukur. Megjithatë, nuk duhet të flasim para kohe – fillimisht ta përfundojmë, e më pas të gjithë së bashku të gëzohemi dhe të shijojmë ngjarjet kulturore që do të organizohen këtu,” deklaroi Mickoski.




