Google ka bërë të ditur se gjatë vitit 2025 ka bllokuar ose hequr plot 8.3 miliardë reklama dhe ka pezulluar 24.9 milionë llogari, në kuadër të përpjekjeve për të luftuar mashtrimet dhe përmbajtjen e dëmshme në internet.
Sipas “Raportit vjetor të sigurisë së reklamave 2025”, një pjesë e konsiderueshme e këtyre masave lidhet drejtpërdrejt me aktivitetet mashtruese, ku janë hequr 602 milionë reklama dhe janë pezulluar 4.1 milionë llogari të përfshira në skema mashtrimi.
Kompania thekson se përmirësimet e fundit janë mundësuar nga përdorimi i teknologjive të avancuara të inteligjencës artificiale, veçanërisht modeleve të bazuara në Gemini, të cilat kanë rritur ndjeshëm aftësinë për të identifikuar dhe bllokuar përmbajtje problematike përpara se ajo të arrijë te përdoruesit.
Sipas analizës, më shumë se 99% e reklamave që shkelin politikat janë ndaluar përpara se të publikoheshin. Modelet e reja, ndryshe nga sistemet tradicionale të bazuara në fjalë kyçe, arrijnë të kuptojnë më mirë qëllimin e përmbajtjes, duke bërë të mundur identifikimin më të saktë të mashtrimeve.
Google gjithashtu ka bërë të ditur se këto sisteme kanë përmirësuar ndjeshëm reagimin ndaj raportimeve të përdoruesve, duke trajtuar katër herë më shumë raste krahasuar me vitin paraprak.




