Shkëndija e Tetovës triumfoi pasdite në terren vendas ndaj Shkëndija së Haraçinës 3 me 2 në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës së Maqedonisë. Kampioni aktual arriti fitore me përmbysje ndaj skuadrës së Ligës së Dytë dhe me një gol avantazh do të udhëtojë në ndeshjen e kthimit pas një jave në terren mysafir.
Skuadra vendase kaloi në epërsi me golin e Trumçit nga penalltia në minutën e katërt, por Shkëndija e Haraçinës deri në fund të pjesës së parë bëri përmbysje të plotë me autogolin e Fetait dhe golin e Livarekës. Kërstevski në minutën e 54-t barazoi rezultatin, ndërsa skuadra nga Tetova erdhi deri te fitorja me golin e Maliqit në minutën e 69-t.
Në ndeshjen tjetër gjysmëfinale të luajtur më herët sot, Ohri dhe Sileksi barazuan 1 me 1. Ndeshjet e kthimit janë në program më 6 maj.



