Ambasadori amerikan në NATO, Matthew Whitaker, ka nisur vizitën dyditore në Kosovë të martën, ku do të takohet me zyrtarë shtetërorë, përfshirë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
“Vizita e tij paraqet një mundësi për të diskutuar interesat e përbashkëta të sigurisë dhe rolin e vazhdueshëm të Kosovës në kontributin ndaj prioriteteve rajonale dhe globale të sigurisë së SHBA-së”, shkroi Ambasada amerikane në rrjetet sociale.
Përfaqësuesi i përhershëm i Shteteve të Bashkuara në NATO, ambasadori Matthew Whitaker, në nisje të vizitës u takua me komandantin e misionit paqeruajtës të aleancës në Kosovë, KFOR, gjeneralmajorin Ozgan Ulutash.
Sipas njoftimit, Ulutash e njoftoi ambasadorin amerikan me situatën e sigurisë në rajon, duke vënë në pah rolin e KFOR-it për “ruajtjen e një mjedisi të sigurt” për të gjithë njerëzit në Kosovë.
“Në këtë drejtim, gjeneralmajori Ulutash shprehu mirënjohjen për kontributin e kamotshëm dhe të çmuar të SHBA-së në misionin e KFOR-it”, tha misioni përmes një njoftimi.
Kosova synon të bëhet pjesë e aleancës ushtarake perëndimore të NATO-s, por në këtë aleancë janë katër shtete që ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, teksa Uashingtoni përkrah aspiratën e Kosovës për anëtarësim në aleancë.
Kosova e konsideron si qenësore aleancën me Shtetet e Bashkuara, vend që ka kontribuar në pavarësinë dhe shtetndërtimin e Kosovës.
Aktualisht, Forca e Sigurisë së Kosovës është në proces të shndërrimit në ushtri të plotë, që pritet të përmbyllet më 2028.
SHBA-ja e ka mbështetur nga fillimi shndërrimin e FSK-së në ushtri, por jo edhe NATO-ja, e cila ngul këmbë që FSK-ja t’u përmbahet detyrave të saj fillestare, si: reagimi ndaj krizave apo mbrojtja civile.
Prishtina, gjatë procesit të transformimit të FSK-së në ushtri, po ashtu po pajiset me armatime të reja, përfshirë ato të prodhuara në SHBA. Vendi po ashtu është mikpritës i bazës më të madhe amerikane në Ballkan, Bondsteel.
Po ashtu, Kosova po ashtu do të jetë pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese për Gazën.
Forca Ndërkombëtare Stabilizuese është një mekanizëm i krijuar si pjesë e nismës së Bordit të Paqes, i propozuar nga presidenti amerikan, Donald Trump, për arritjen e paqes në botë.
Kosova është në mesin e pesë shteteve të para – së bashku me Indonezinë, Marokun, Kazakistanin dhe Shqipërinë – që janë zotuar për angazhim në këtë mision, me qëllim ofrimin e sigurisë dhe mbikëqyrjen e armëpushimit në Rripin e Gazës.
Para vizitës në Kosovë, ambasadori Whitaker qëndroi në Maqedoni të Veriut dhe Kroaci./ REL



