Në laboratorin e fakultetit të Teknologjisë Ushqimore pranë Universitetit të Tetovës, u promovua pajisja për detektim të pesticideve në ushqimet që konsumojmë çdo ditë. Ajo është donacion nga Ministria e Bujqësisë, në kuadër të programit për zhvillim rural. Kushtoi 12 milionë denarë.
“Kjo aparaturë që do të shfrytëzohet për detektimin e pesticideve në ushqim dhe prodhime të tilla është edhe një tregues kujdesi ndaj shëndetit të qytetarëve dhe të konsumatorëve është në një nivel të lartë. Kjo mbështetje do të thotë qasje me përgjegjësi jo vetëm ndaj kompanive që do të kenë nevojë për testime të tilla por në mënyrë plotësuese edhe ndaj Universitetit dhe vetë studentët do të mund këto pajisje t’i shfrytëzojnë për arsye shkencore”, tha Cvetan Tripunovski – ministër i Bujqësisë.
“Bëhet fjalë për investim prej rreth 200 mijë eurosh apo 12 milionë denarësh, përmes programit për zhvillim rural. Masa 1 konkretisht mbështetje teknike në bujqësi dhe investim rural e cila mbështet dhe mbulon 100% të kostove për modernizim të infrastrukturës laboratorike””, u shpreh Albërim Hoxha – zv/ministër i Bujqësisë.
Rektori i UT-së Jusuf Zendeli tha se kjo pajisje do tu shërbejë studentëve të të gjitha cikleve, ndërsa dekani i Fakultetit të Bujqësisë Gafur Xhabiri theksoi se pajisja do të shërbejë veçanërisht për analiza të metaleve të rënda dhe kërkime të avancuara.
“Sepse kanë mundësi që hulumtimet e tyre shkencore, pjesën praktike ta zhvillojnë në laborator dhe mbi të gjitha edhe urë lidhëse me kompanitë e kësaj sfere. Mbi të gjitha gjithashtu edhe me dekanin dhe stafin tonë do të kemi mundësi që të japim një kontribut në cilësinë e ushqimit”, tha Jusuf Zendeli – rektor i UT-së.
“Jemi jashtëzakonisht të kënaqur nga realizimi i këtij projekti. Bëhet fjalë për ICBMS të realizuar me Ministrinë e Bujqësisë. Për neve do të jetë jashtëzakonisht në interes për analizat që do të kryejmë për metalet e rënda”, deklaori Gafur Xhabiri – Dekan i Fakultetit të Bujqësisë dhe Bioteknologjisë – UT.
Projekti u cilësua si hap i rëndësishëm drejt modernizimit të infrastrukturës laboratorike dhe forcimit të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve akademike dhe sektorit agroushqimor, që do të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e cilësisë dhe sigurisë së ushqimit në vend.



