Ish-kryetari i Komunës së Qendrës, Vladimir Todoroviq nga VMRO-DPMNE, dhe 10 bashkëpunëtorë të tij janë arrestuar mbrëmë nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe autorizimeve, si dhe për pastrim parash lidhur me monumentet në Shkup, pjesë e projektit “Shkupi 2014”, me vlerë prej 700 milionë euro.
Pas natës së kaluar në stacion policor, pritet që ata të dalin para gjyqtarit të procedurës paraprake në Departamentin për Krim të Organizuar dhe Korrupsion në Gjykatën Penale në Shkup.
Meqë me veprat penale të dyshuarit i kanë shkaktuar dëm Buxhetit të shtetit, kompetenca i takon Prokurorisë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion, ndërsa hetimin e udhëheq prokurori Lubomir Lape.
Ky hetim është hapur që nga koha e Prokurorisë Speciale Publike (PSP), ndërsa sipas njohurive të mëparshme, provat kryesore ndër vite janë siguruar në Itali, ku janë derdhur monumentet e shumta, të cilat pushteti i atëhershëm i VMRO-DPMNE-së, përmes Qeverisë së udhëhequr nga Nikola Gruevski dhe përmes Komunës Qendër, i vendoste brenda natës si në një linjë fabrike.
Këto vepra penale, në të cilat është dëmtuar Buxheti, nuk vjetrohen për disa dekada.



