Në Universitetin e Tetovës u mbajt punëtoria me temë “Parandalimi i delikuencës: nga njohja te veprimi”, e organizuar nga Fakulteti Filozofik, Fakulteti Juridik dhe Fakulteti Pedagogjik, me pjesëmarrjen e nxënësve të shkollave të mesme dhe përfaqësuesve të shërbimeve profesionale.
Aktiviteti filloi me hapjen solemne, ku dekani i Fakultetit Filozofik, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti, theksoi rëndësinë e një qasjeje gjithëpërfshirëse në trajtimin e delikuencës te të rinjtë. Ai nënvizoi se kjo dukuri kërkon bashkëveprim të institucioneve arsimore, familjes dhe shoqërisë. “Parandalimi fillon me ndërgjegjësim dhe vazhdon me veprim të përgjegjshëm. Askush nuk lind delikuent, por është detyrë e përbashkët të krijojmë kushte që të rinjtë të zhvillohen shëndetshëm dhe të marrin vendime të drejta”, u shpreh ai. Në kuadër të ceremonisë solemne, Prof. Dr. Afrim Osmani e trajtoi temën “Sistemi i drejtësisë për fëmijë në RMV”, duke ofruar një pasqyrë të mekanizmave ligjorë dhe masave që synojnë mbrojtjen, rehabilitimin dhe ri integrimin e të miturve.
Punëtoria vijoi me dy sesione interaktive, realizuar nga: Prof. Dr. Ardita Abduli Reka, Prof. Dr. Sheruze Osmani Ballazhi, Prof. Dr. Besa Havziu Ismaili dhe Doc. Dr. Nazmije Shaqiri, të cilët trajtuan aspekte praktike dhe edukative për parandalimin e sjelljeve devijante te të rinjtë.
Në këtë veprimtari u organizua edhe ceremonia e ndarjes së mirënjohjeve për përfaqësuesit e shërbimeve profesionale të shkollave të mesme në Tetovë, në shenjë vlerësimi për kontributin dhe angazhimin e tyre të vazhdueshëm në mbështetjen e nxënësve dhe përmirësimin e mirëqenies së tyre në mjedisin shkollor, si dhe ndarja e certifikatave për nxënësit pjesëmarrës, duke e përmbyllur një aktivitet të rëndësishëm edukativ dhe ndërgjegjësues për rolin e secilit në parandalimin e delikuencës.



