Vatikani ka reaguar për herë të parë ndaj kritikave të ashpra të presidentit amerikan Donald Trump ndaj Papa Leoni XIV, duke e cilësuar sulmin si një përpjekje ndaj një “zëri moral”.
At Antonio Spadaro deklaroi se Trump “nuk debaton me Papën, por përpiqet ta tërheqë në një gjuhë që mund ta dominojë”, ndërsa theksoi se Papa “flet një gjuhë tjetër, që nuk reduktohet në logjikën e forcës dhe interesit kombëtar”.
Përplasja vjen në një moment kur Papa Leoni XIV, i pari papë amerikan, ka qenë gjithnjë e më kritik ndaj retorikës së SHBA-së dhe Izraelit në lidhje me Iranin. Javën e kaluar, ai i cilësoi kërcënimet ndaj popullit iranian si “të papranueshme”.
Nga ana e tij, Trump deklaroi se “nuk ishte një fans i Papës”, duke e kritikuar ashpër për qëndrimet e tij në politikën e jashtme dhe për çështjen e armëve bërthamore.
CNN shkruan se kjo është një situatë e pazakontë, pasi rrallëherë një president amerikan ka sulmuar publikisht një Papë në këtë mënyrë.
Tensionet vijnë në prag të një turi 10-ditor të Papës në Afrikë, ku ai pritet të vizitojë Algjerinë, Kamerun, Angola dhe Guinean Ekuatoriale.
Vizita në Algjeri, një vend me shumicë myslimane, shihet si simbolike, sidomos në një kohë kur SHBA është e përfshirë në tensione me Iranin. Sipas CNN, kontrasti mes mesazhit të Papës dhe politikës amerikane është “shumë i fortë”.
Përplasja mes Vatikanit dhe Trump pritet të ndikojë në klimën politike dhe diplomatike gjatë ditëve në vijim.



