Qyteti i gurtë i Gjirokastrës vijon të mbetet ndalesë e rëndësishme në hartën e udhëtimeve të turistëve vendas e të huaj në Shqipëri.
I shpallur pjesë e Trashëgimisë Botërore nga UNESCO, ky qytet mbart një histori të pasur, arkitekturë unike dhe një atmosferë që të rikthen pas në kohë.
Gjirokastra tërheq vizitorë me autenticitetin e saj ku shtëpitë karakteristike prej guri, rrugicat e ngushta me kalldrëm dhe pamjet panoramike krijojnë një përvojë të veçantë për çdo turist.
Edhe gjatë muajve të parë të këtij viti Gjirokastra po tërheq një numër në rritje të vizitorëve.
Kryetari i bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi tha sot për ATSH-në se “në tre muaj e parë të vitit qyteti i gurtë dhe rrethinat kanë tërhequr interesin e turistëve sidomos atyre të huaj. Nga janari deri në fund të marsit janë rreth 13 mijë turistë, të cilët kanë vizituar territorin e bashkisë Gjirokastër”.



