Kryeprokurori i ri, Nenad Saveski sot bëri betimin solemn në Kuvend, dhe para mediave tha se puna e tij do të jetë në përputhje me Kushtetutën, ligjet, dokumentet ndërkombëtare të ratifikuara dhe standardet ndërkombëtare, përcjell TV21. Saveski falënderoi për mbështetjen dhe qëndrimet korrekte lidhur me aspektet profesionale.
“Kjo për mua është një përgjegjësi e madhe dhe në këtë moment dua t’i ftoj të gjithë prokurorët publikë që të jenë së bashku me mua, të cilët edhe ndërkohë që unë po jap këtë deklaratë, po e kryejnë punën e tyre. Puna e tyre as nuk fillon e as nuk përfundon me mua. Çdo prokuror publik ka detyrimin ligjor të veprojë mbi rastet aktuale. I njoh prokurorët dhe besoj tek ata, dhe jam i sigurt se së bashku do t’i përmbushim pritshmëritë e qytetarëve, në emër të të cilëve, si dhe në emër të Kushtetutës dhe ligjeve, veprojmë ne, prokurorët publikë”, tha Saveski.
Ai falënderoi ish-kolegët e tij gjyqtarë, gjyqtarët e Gjykatës Themelore Penale në Shkup, Qeverinë që e propozoi dhe deputetët që e mbështetën, duke theksuar se kishte pritur mbështetje më të gjerë, për dallim të 66 votave që mori në Kuvend, ndërsa shtoi se nuk do t’u japë përparësi rasteve të veçanta.
“Çdo rast ka rëndësi të barabartë. Nuk do të bëj përparësi në raste. Dihet, vetëm kur ka bazë ligjore se cilat lëndë kanë prioritet. Seleksionimi nuk bëhet në atë mënyrë, as nga kush do të thirresha se si të veproja, përkundrazi, ka rregullore ligjore në bazë të të cilave vepron çdo prokuror. Ata vlejnë edhe de, edhe sot, edhe nesër, edhe në të ardhmen”, tha Saveski.
Saveski premton transparencë dhe llogaridhënie për secilin prokuror.
“Plani im i punës është natyrisht, ashtu siç e kam theksuar edhe më herët në paraqitjet e mia, modernizimi i Prokurorisë me digjitalizim e menaxhimit të rasteve dhe caktimin e punëve të prokurorëve publikë, përmes këtij programi do të monitorohej puna e secilit prokuror veçma, dhe gjithsesi se ajo që është tejet me rëndësi për ju mediat, do të garantoj transaparencë dhe llogaridhënie për çdo prokuror publik”, shtoi Saveski.
Saveski do të jetë prokurori i nëntë republikan i Maqedonisë që nga pavarësia në vitin 1991 dhe i 19-ti që nga viti 1945. Zgjedhja e tij vjen pas dorëheqjes së prokurorit të mëparshëm Ljupço Kocevski. Nenad Saveski ka lindur në vitin 1976, jeton në Gostivar dhe ka diplomë master në Shkencat Juridike – e drejtë penale. Ai ka përfunduar studimet dhe masterin në Fakultetin e Drejtësisë “Justiniani i Parë” pranë UKIM në Shkup. Provimin gjyqësor e kaloi në vitin 2003. Që nga viti 2016 është gjyqtar në Gjykatën Themelore Penale Shkup, në departamentin për krim të organizuar dhe korrupsion. Më parë, nga 2009 deri 2016, ka punuar si prokuror në Prokurorinë Themelore, dhe nga 2004 deri 2009 ka qenë bashkëpunëtor profesional në Gjykatën Themelore të Gostivarit. Në këtë gjykatë nga 2000 deri 2002 ka punuar si praktikant gjyqësor.
Nga angazhimet ekspertë dhe ndërkombëtare në biografinë e tij, përmendet se ka qenë ekspert në OSBE Maqedoni, ekspert në Konventën Kombëtare për BE – Kapitulli 23, si dhe ekspert në projekte të Këshillit të Evropës, OSBE dhe USAID. Nga karriera akademike, Saveski është ligjërues në Akademinë për Gjyqtarë dhe Prokurorë Publikë, tutor nacional dhe trajner në programin HELP të Këshillit të Evropës, si dhe trajner për të drejtat e njeriut dhe të drejtën penale. Ai është autor dhe koautor i punimeve mbi masa të veçanta hetimore, lirinë e shprehjes, shpifjen dhe fyerjen, konfiskimin e pasurisë, të drejtën e privatësisë, si dhe i disa udhëzuesve dhe publikimeve profesionale. Flet maqedonisht, anglisht, gjermanisht, serbisht dhe pjesërisht shqip.



