Dalja eventuale e Polonisë nga Bashkimi Evropian tani për tani përbën një “kërcënim real”, paralajmëroi kryeministri polak, Donald Tusk.
Ai i akuzoi presidentin Karol Nawrocki dhe partitë opozitare të djathta për drejtimin e vendit drejt largimit nga blloku, të nxitur nga aleatë që shtrihen nga Moska deri te lëvizja MAGA me bazë në SHBA.
Në një postim në rrjetet sociale, Tusk tha se fraksionet e djathta ekstreme të Konfederatës dhe shumica e deputetëve nga partia nacionaliste Ligj dhe Drejtësi (PiS) duan ta nxjerrin Poloninë nga BE-ja. Ai e quajti një skenar të tillë “katastrofik” dhe premtoi se do të bëjë gjithçka për ta parandaluar këtë.
Tusk gjithashtu e lidhi rrezikun e një “Polexit” me forcat që, sipas tij, përpiqen të “shkatërrojnë BE-në”, duke përfshirë Rusinë, lëvizjen MAGA me bazë në SHBA dhe liderët e djathtë ekstremë evropianë, të udhëhequr nga kryeministri hungarez, Viktor Orbán.
Paralajmërimi i Tusk erdhi pas vendimit të presidentit Nawrocki për të vënë veto mbi një ligj që do t’i jepte Polonisë qasje në kredi të ulëta evropiane për mbrojtjen, me vlerë prej 43.7 miliardë eurosh.
Qeveria e Tusk nuk ka shumicë parlamentare për të anuluar veton, gjë që krijon pasiguri rreth financimit të shpenzimeve të planifikuara ushtarake, të cilat pritet të arrijnë gati pesë për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto këtë vit. Tusk paralajmëroi se veton e presidentit Nawrocki mund të dobësojë pozicionin e Polonisë brenda Bashkimit Evropian.
Ish-ministri për Europën nga PiS, Konrad Szymański, në një koment për gazetën të premten vlerësoi se e djathta nacionaliste polake po lëviz “në rrugën e Polexit”. Ai bëri paralelizme me dinamikën politike që çoi në referendumin britanik për largimin nga Bashkimi në vitin 2016.
Edhe pse mbështetja për daljen e Polonisë nga BE-ja mbetet e ulët, sondazhet e fundit tregojnë se ajo nuk është më e parëndësishme. Opinioni publik tregon se mes 10 dhe 25 për qind e polakëve do të mbështesnin nisjen e procesit të daljes, megjithëse shumica e madhe ende mbështet qëndrimin në BE.



