Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme njoftoi se evakuimi nga vendet e Lindjes së Mesme me fluturime çarter komerciale pritet të fillojë të dielën.
Ministria pasditen e sotme ka lidhur marrëveshje me një kompani ajrore, në përputhje me Ligjin për prokurime publike, pas përfundimit të procedurës përkatëse. Sipas planit të përcaktuar dhe dinamikës së parashikuar, pritet që deri në mesin e javës së ardhshme të evakuohen të gjithë shtetasit maqedonas që kanë shprehur gatishmëri për t’u kthyer.
Procesi është i koordinuar plotësisht nga Ministria dhe përfaqësitë diplomatike-konsullore në rajon. Përfundimi i procedurës së prokurimit publik konsiderohet si konfirmim i veprimit në kohë dhe me përgjegjësi në drejtim të mbrojtjes dhe kujdesit për qytetarët maqedonas.
Sipas të dhënave të fundit, deri më sot, Ambasadën në Doha e kanë kontaktuar 150 shtetas maqedonas, prej të cilëve 95 kanë shprehur gatishmëri për evakuim. Ndërkaq, Ambasadën në Abu Dhabi e kanë kontaktuar gjithsej 585 persona që qëndrojnë në Emiratet e Bashkuara Arabe, si dhe 36 persona nga Kuvajti, 15 nga Bahreini dhe 5 nga Arabia Saudite.
Ministria edhe një herë u bën thirrje të gjithë shtetasve maqedonas që ende nuk kanë kontaktuar me përfaqësitë diplomatike-konsullore përkatëse, ndërsa kanë nevojë për evakuim ose asistencë, ta bëjnë këtë sa më shpejt përmes numrave të kujdestarisë të përfaqësive ose përmes numrit SOS të Ministrisë.
Detajet teknike dhe organizative për realizimin e fluturimeve do të përcaktohen në koordinim me operatorin ekonomik, për çka qytetarët do të informohen me kohë.
Ministria mbetet në komunikim të vazhdueshëm me qytetarët dhe në koordinim me institucionet kompetente, me qëllim prioritar – kthimin e tyre të sigurt dhe në kohë.



