LSDM kërkon dorëheqjen e ministrit Toshkovski pas tragjedisë në Karposh

Partia opozitare Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) ka kërkuar dorëheqjen e ministrit të Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski, duke e mbajtur përgjegjës për, siç thonë, dështimet serioze të institucioneve pas tragjedisë në lagjen Karposh, ku humbën jetën një nënë dhe fëmija i saj.

Sipas LSDM-së, Ministria e Punëve të Brendshme kishte qenë e informuar për rastin, pasi gjatë dy viteve të fundit ishin bërë vazhdimisht denoncime për dhunë familjare, fizike dhe psikologjike ndaj autorit të dyshuar. Në total, sipas tyre, janë paraqitur 12 denoncime, ndërsa personi kishte edhe akuza të tjera dhe kallëzime penale. Në rastin e fundit, tek ai është gjetur edhe drogë.

Nga LSDM theksojnë se policia kishte informacione dhe indicie për rrezik serioz, por nuk ka reaguar në mënyrë të duhur dhe në kohë për të mbrojtur viktimat.

Partia opozitare rikujton se me ndryshimet në Kodin Penal, dhuna ndaj grave dhe dhuna në familje ndiqen me detyrë zyrtare, edhe në rastet kur denoncimi tërhiqet. Sipas tyre, policia kishte obligim ligjor të vepronte, jo vetëm kur ka lëndime trupore, por edhe kur dhuna rrezikon shëndetin dhe sigurinë e viktimës.

Ata shtojnë se Ministria e Punëve të Brendshme është e obliguar të veprojë edhe në përputhje me ligjin për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna ndaj grave dhe dhuna në familje. Sipas LSDM-së, nëse institucionet do të kishin reaguar dhe i dyshuari do të ishte arrestuar, tragjedia mund të ishte shmangur.

LSDM përmendi edhe raste të tjera që, sipas tyre, tregojnë dështime të institucioneve. Ata përkujtojnë rastin në Veles, ku disa muaj më parë një grua e re u vra së bashku me babanë e saj, edhe pse kishte raportuar më parë dhunë.

Gjithashtu u përmend edhe rasti i vrasësit serial në Staro Nagoriçane, ku pesë gra humbën jetën. Sipas LSDM-së, banorët për dy vite kishin raportuar se autori hynte fshehurazi në oborre dhe i përgjonte, por institucionet nuk kishin reaguar në kohë. Fillimisht, viktimat ishin trajtuar si raste të vdekjes natyrale, pa autopsi dhe pa hetim, derisa prokuroria kërkoi ekshumimin e trupave dhe hapjen e një hetimi për vrasje.

“Problemi fillon nga maja e institucionit. Ndërsa të tjerët heshtin – LSDM nuk do të heshtë”, thuhet në reagimin e partisë.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit