Kryemnisitri i Kosovëvs, Albin Kurti në mbledhjen solemne të Qeverisë së Republikës së Kosovës, tha se Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfaqëson një kthesë vendimtare në vetëdijen tonë kombëtare dhe bashkimin tonë popullor drejt lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.
“Historia e shteteve ndërtohet mbi ngjarjet që i hapin shteg të ardhmës. Marsi i vitit 1998 është një ngjarje e atillë. Në Prekaz me 5, 6 dhe 7 mars 1998 ndodhi një përballje aq e pabarabartë, por me domethënie kaq të jashtëzakonshme. Në analet e historisë e Evropës nuk mund të gjendet një rast i vetën kur për tri ditë e tri netë rresht i bën rezistencë një familje liridashëse autoktone një shteti policor e okupator. Ani se familja Jashari ishte rrethuar shumë fish nga mira forca të armatosura, të pajisura me makineri të rëndë dhe mjete ushtarake moderne të kohës, ata luftuan e qëndruan deri në fund duke dhënë jetën e tyre për lirinë e të gjithë neve. Për këtë familje kishte kuptim vetëm një gjë, liria, sepse asgjë nuk është e vlefshme sikur ajo. Këtë ngjarje bënë të pavdekshme vendimi ndërgjegjshëm i familjes për të qëndruar e për të mos u nënshtruar”, tha Kurti.
Sipas tij, burra, gra dhe fëmijët vendosën të mos ndaheshin nga kreu komandanti Adem Jashari.
“Ata qëndruan tok së bashku nga bindja se liria kërkon sakrifice e cila nis nga vetja. “Me 5 mars 1998, të rinjtë e familjes morën pozicionet e tyre me guxim. Gratë dhe vajzat furnizonin me municion pa ndërprerje. Ishte një qëndresë e organizuar e vetëdijshme dhe e përbashkët. Kullat e tyre u shndërruan në fortesë, familja në simbol të unitetit dhe vendosmërisë shqiptare, ndërsa Prekazi në kryeqendër të kryengritjes popullore. Pas atyre tre ditëve, lufta në Kosovë mori tjetër karakter. U rrit mobilizimi njerëzor, u forcua legjitimiteti i rezistencës dhe çështja e Kosovës mori vëmendje të madhe ndërkombëtare” tha Kurti. Rtk /KultPlus.com



