Komuna e Struga ka njoftuar se do të nxjerrë në ankand makinën e shumëpërfolur të ish-kryetarit të komunës, një Audi A6, e cila u bë virale në media si “makina me timon me lëkurë gjarpri” apo “makina e bukur”.
Sipas njoftimit zyrtar, ankandi elektronik për shitjen e automjetit do të mbahet më 16 mars 2026 në ora 10:00, në platformën e-stvari.mk. Vlera fillestare për ofertim është 1.344.636 denarë, ose rreth 21.800 euro, sipas vlerësimit të ekspertit përkatës.
Komuna thekson se mjetet e siguruara nga shitja e veturës do të përdoren për blerjen e një furgoni, i cili do të vihet në shërbim të administratës komunale dhe klubeve sportive të qytetit.
Njëkohësisht, nga komuna theksohet se kryetari aktual, Mendi Qyra, që nga dita e parë e mandatit nuk ka përdorur asnjë automjet nga parku vozitës i komunës, me qëllim racionalizimin e shpenzimeve të krijuara ndër vite.
Autoritetet lokale gjithashtu kanë përgënjeshtruar edhe njëherë pretendimet e mëhershme në opinion publik se vlera fillestare e automjetit ishte nën çmimin e tregut, duke theksuar se ajo është përcaktuar nga ekspertë të autorizuar.
Komuna fton të gjitha palët e interesuara që të marrin pjesë në ankandin elektronik, ku do të publikohen edhe specifikacionet e detajuara dhe dokumentacioni përkatës i automjetit
https://www.facebook.com/share/1MjpDkMQxU/



