Edhe sot shpërthime u dëgjuan në Teheran, gjersa lufta e Iranit me SHBA-në dhe Izraelin hyri në ditën e pestë. Shpërthimet rreth Tehranit ndodhën në agim, sipas televizionit shtetëror iranian, ndërsa ushtria e Izraelit tha se sistemet e saj të mbrojtjes ajrore ishin aktivizuar për të ndaluar raketat iraniane, ndërsa shpërthime u dëgjuan rreth Jeruzalemit.
Ushtria izraelite njoftoi se një nga avionët e saj luftarakë F-35 rrëzoi një avion luftarak të pilotuar të Forcave Ajrore Iraniane. Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Gjeneral Brigadier Efie Defrin, tha se Irani është një “regjim terrori” dhe se ata do të vazhdojnë të godasin objektiva “deri sa kërcënimi të zhduket.”
Defrin tha se, edhe pse Irani ende ka aftësinë të godasë Izraelin, ata po vëzhgonin një ulje të numrit të lansimeve nga vendi. Ushtria amerikane ka njoftuar se ka goditur gati 2,000 objektiva në Iran, në kuadër të një operacioni të gjerë ushtarak që po zhvillohet paralelisht me sulmet izraelite në rajon. Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, tha se një nëndetëse amerikane ka fundosur një anije luftarake iraniane – sulmi i parë i këtij lloji ndaj një armiku që nga Lufta e Dytë Botërore.
Deri më tani pothuajse 800 persona janë vrarë në Iran. Presidenti i SHBA-së, Donald Tramp, është shprehur se konflikti mund të zgjasë një muaj ose më shumë. E kryetari i gjyqësisë iraniane, Golam Hoseini, kërcënoi me dënim me vdekje këdo që mbështet fushatën SHBA-Izrael. Nga ana tjetër, sipas disa agjencive ndërkombëtare, qeveria izraelite ka ndaluar qytetarët të fotografojnë dhe të publikojnë çdo pamje që tregon dëmet nga sulmet iraniane. Thuhet se deri tani 150 persona janë arrestuar për këtë arsye.



