Shënohet 28-vjetori i Epopesë së UÇK-së, publikohet agjenda e aktiviteteve për 5, 6 dhe 7 mars

Ministria e Kulturës ka njoftuar agjendën e plotë të aktiviteteve për shënimin e Epopesë së UÇK-së më 5, 6 dhe 7 mars. Më 5 mars, në ora 08:00, ora e parë mësimore në të gjitha shkollat e Republikës së Kosovës do t’i kushtohet Epopesë së UÇK-së.

Në ora 09:00 do të mbahet mbledhja solemne e Qeverisë së Republikës së Kosovës, ndërsa në ora 10:00 do të zhvillohen seanca solemne në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe në kuvendet komunale. Në mesditë, në ora 12:00, do të bëhet rreshtimi i kuadrateve të FSK-së në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, ndërsa në ora 14:30 do të organizohet gara mbarëkombëtare e volejbollit për femra “Adem Jashari” në Skënderaj.

Aktivitetet përkujtimore vijojnë më 6 mars, kur në ora 10:00 krerët e shtetit do të bëjnë homazhe në Kompleksi Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, ndërsa nga ora 10:00 deri në 12:00 homazhe do të zhvillohen edhe nga përfaqësuesit komunalë në komplekset memoriale të dëshmorëve. Në ora 13:00 do të hapet ekspozita “Tri ditë që ndryshuan historinë”, e organizuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Në mbrëmje, në ora 19:00, do të mbahet Akademia përkujtimore për Epopenë e UÇK-së me pjesëmarrje artistike nga Opera e Kosovës dhe Filarmonia e Kosovës në Pallati i Rinisë dhe Sporteve (Salla e Kuqe), ndërsa në ora 21:00 do të bëhet mbyllja e ceremonisë.

Më 7 mars, në ora 18:00, do të organizohet “Nata e Zjarreve” në Prekaz, pasuar në ora 18:15 me ndezjen e flakadanëve në shtatë rajonet e Republikës së Kosovës. Në ora 19:00 do të mbahet program artistik në sheshin “Adem Jashari” në Skënderaj.

Gjithashtu, në kuadër të 28-vjetorit të Epopesë së UÇK-së, Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” do të organizojë aktivitete përkujtimore më 5 dhe 6 mars 2026. Më 5 mars në ora 11:00 do të hapet ekspozita dokumentare “Epopeja në Kujtesën e Shtypit Kosovar 2000–2020”, ndërsa më 6 mars në ora 13:00 do të prezantohet ekspozita fotografike “Ditënetët e zjarreve në Prekaz”, me fotografi të fotografit Sefer Aliqkaj./KultPlus.com

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit