MEPSO: Linja e re 400kv Tetovë-Prizren pritet të merr statusin e projektit me rëndësi të veçantë

Shkup, 28 shkurt – MEPSO ka aplikuar për të fituar statusin PECI (Projekt me interes për Komunitetin Energjetik) për projektin strategjik “Korridori interkonektues Lindje-Perëndim 400 kV, Seksioni perëndimor”, një ndër iniciativat më të rëndësishme rajonale në fushën e transmetimit të energjisë elektrike.

Projekti parasheh ndërtimin e një linje largpërçuesi 400 kV nga Tetovë deri në Prizren, duke krijuar një lidhje të re direkte elektroenergjetike mes Republika e Maqedonisë së Veriut dhe sistemit energjetik të Republika e Kosovës. Korridori Shkup – Tetovë – Ohër, me lidhje ndërkufitare drejt Prizrenit, pritet të forcojë ndjeshëm rrjetin e transmetimit në pjesën perëndimore të vendit. Gjatësia totale e seksionit perëndimor arrin rreth 255 kilometra.

Element kyç i projektit është ndërtimi i një trafostacioni të ri 400/110 kV në Tetovë, si dhe mundësia për ndërtimin e një trafostacioni të ri 400/110 kV në Osllomej. Këto investime do të mundësojnë integrim më të mirë të kapaciteteve ekzistuese dhe të planifikuara të prodhimit, përfshirë burimet e ripërtëritshme të energjisë, si dhe fleksibilitet më të lartë operacional të sistemit elektroenergjetik.

Projekti ka dimension të qartë rajonal dhe është komplementar me projektin tashmë të miratuar me status PECI për përmirësimin e korridorit Kosovë – Shqipëri (Prizren – Fierzë) në nivel 400 kV, duke forcuar më tej ndërlidhjen energjetike në Ballkanin Perëndimor.

Projektet me status PECI konsiderohen prioritare në sektorin e energjisë elektrike dhe gazit, me ndikim në më shumë se një vend anëtar të Komuniteti Energjetik. Marrja e këtij statusi përbën njohje zyrtare të rëndësisë strategjike të projektit dhe hap rrugën për koordinim më të mirë institucional mes vendeve pjesëmarrëse, përshpejtim të procedurave përgatitore dhe realizimit, si dhe qasje më të lehtë në instrumente financiare ndërkombëtare dhe asistencë teknike nga institucionet financiare ndërkombëtare.

Realizimi i Korridorit 400 kV Lindje-Perëndim pritet të rrisë sigurinë dhe stabilitetin e sistemit elektroenergjetik, të mundësojë integrim më të thellë të tregut rajonal, të ulë kufizimet e rrjetit dhe të krijojë kushte për zhvillim të qëndrueshëm të sektorit energjetik në vend dhe në rajon.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit