Identifikohet i dyshuari për alarmet e rrejshme në Tetovë

Policia ka ndaluar personin i cili dyshohet për alarmet e rreme në shkollat e Tetovës. Dyshohet se kërcënuesi është nxënës i viti të katërt në Gjimnazin “Kiril Pejçinoviq”, ku dhe kohëve të fundit ka pasur më së shumti alarme për bomba. Policia ka kryer bastisje në shtëpinë e tij ku dhe janë sekuestruar celularë e kompjuterë.

“Informatat nga SPB Tetovë, flasin se është kapur personi që dyshohet të jetë dërgues i emaileve në gjitha shkollat por edhe institucione të tjera, me kërcënime, se ka bombë brenda objektit. Interesant është fakti se nxënësi dyshohet të jetë pikërisht nga kjo shkollë, gjimnazi “Kiril Pejçinoviq”, në të cilën shkollë janë lëshuar më së shumti kërcënime për gjoja se ka bombë brenda objektit”, raporton Bashkim Sulejmani, gazetar.

Drejtori i gjimnazit të Tetovës, Jeton Kamberi, për Alsat ka konfirmuar se inspektorë të SPB Tetovë, kanë kërkuar të dhëna për një nxënës të kësaj shkollë, nën dyshimet se është dërgues i emailave për bomba.

“Në mëngjes komunikuam me punonjës të policisë, kërkuan disa informata dhe ne ua dhamë informatat… Kanë ata dyshimet e veta dhe ne ua dhamë informatat, dhe sipas tyre, ekziston një i dyshuar”, tha Jeton Kamberi. Drejtor i Gjimnazit të Tetovës.

Sipas Informatave të televizionit Alsat, Sektori i Punëve të Brendshme në Tetovë në bashkëpunim me pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme që prej dy ditësh kanë hetuar personin e dyshuar. Gjatë bastisjes, në shtëpinë e të riut në fshatin Pollaticë të Tetovës, janë konfiskuar edhe celularë dhe kompjuterë. Personi i dyshuar është nxënës i vitit të katërt në Gjimnazin Kiril Pejçinoviq në Tetovë, ndërsa është djali i një ish funksionari të opozitës. I riu është i njohur edhe për shkelje të mëhershme. Mësohet se gjatë arrestimit, ai ka pranuar se ka dërguar emaile në MPB, për gjoja se bomba të vendosura në disa institucione shkollore. /Alsat.mk

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit