Shkup, 26 shkurt – Nënkryetarja e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Vesna Bendevska, sot u takua me Petra Dreksler, ambasadore e Republikës Federale të Gjermanisë, si dhe Arbnora Qaili dhe Tijana Jankovska, bursiste të Programit Ndërkombëtar Parlamentar (IPS) të Bundestagut gjerman për vitin 2026.
Siç bëhet e ditur në kumtesën e shërbimit për informim të Kuvendit, Bendevska i uroi bursistet për përzgjedhjen e tyre dhe theksoi se kjo është mundësi e shkëlqyer që të njihen me jetën politike dhe akademike të Gjermanisë, si dhe që përvojën e fituar ta përcjellin në vendin tonë dhe të shërbejnë si urë lidhëse midis dy parlamenteve.
“Ajo theksoi se Kuvendi, si institucion, në vazhdimësi punon me përkushtim për avancimin dhe promovimin e këtij programi për të gjithë të rinjtë nga vendi ynë që janë të interesuar që të kryejnë praktikë te një deputet gjerman në Bundestagun e Republikës Federale të Gjermanisë. Para nisjes së bursistëve për në Gjermani, Kuvendi u mundëson atyre qëndrim disaditor në institucionin tonë, me qëllim që të njihen më të afërt me mënyrën e funksionimit të Kuvendit”, bëhet e ditur në kumtesë.
Ambasadorja Dreksler theksoi se Gjermania i kushton vëmendje të madhe këtij programi, veçanërisht për të rinjtë nga vendet e Ballkanit Perëndimor, me qëllim që bursistët të kenë mundësi të njihen me punën e Bundestagut dhe me rrethanat politike në vend. Programi IPS mundëson praktikë pesëmujore pranë një deputeti në Bundestagun gjerman.
Praktikantet Arbnora Qaili dhe Tijana Jankovska e falënderuan për mbështetjen që po marrin nga të gjitha palët për realizimin e këtij programi dhe shprehën pritjen që ai t’u sjellë zhvillim profesional dhe personal, të cilin do ta përcjellin në vendin tonë pas kthimit të tyre.
IPS është aktivitet tradicional i Bundestagut gjerman, i cili së bashku me Universitetin Teknik, Universitetin e Lirë dhe Universitetin Humboldt të Berlinit, u jep mundësi të rinjve me arsim universitar të përfunduar të njihen me sistemin parlamentar të Gjermanisë.
Deri më tani, nëpërmjet Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, që nga viti 2001 dhe me Programin për vitin 2025, gjithsej kanë marrë pjesë 64 bursistë në këtë Program.



