Doktoresha e përgjithshme Fatlume Ferati ka folur për Ora 24 rreth përfitimeve shëndetësore të agjërimit, duke theksuar se përveç dimensionit shpirtëror, ai ka edhe vlera të rëndësishme për organizmin.
Sipas Fatlume Feratit, gjatë agjërimit trupi pastrohet nga toksinat dhe aktivizohet autofagia, një proces natyror që ndihmon në rinovimin dhe rigjenerimin e qelizave. Ajo thekson se agjërimi ndikon pozitivisht në sistemin imunitar duke e forcuar atë, si dhe përmirëson funksionimin e sistemit kardiovaskular.
Po ashtu, Fatlume Ferati shton se agjërimi ndihmon edhe në rregullimin e sistemit gastrointestinal, duke i dhënë pushim aparatit tretës dhe duke ndikuar në përmirësimin e proceseve të tretjes.
Sipas saj, efektet pozitive vërehen edhe në aspektin psikologjik, pasi agjërimi rrit vetëkontrollin, qetësinë shpirtërore dhe ndikon në stabilitetin emocional.
Ajo nënvizon se gjatë kësaj periudhe stabilizohet edhe shtypja e gjakut, sidomos kur agjërimi praktikohet në mënyrë të rregullt dhe të kontrolluar.
Në fund, doktoresha apelon që personat me sëmundje kronike të konsultohen me mjekun para se të agjërojnë, në mënyrë që të shmangin rreziqet e mundshme dhe të përfitojnë maksimalisht nga vlerat e tij.



