Urim nga Gashi me rastin e Ditës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës

Me rastin e Ditës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi ka përcjell urimet më të përzemërta për qytetarët dhe institucionet e Republikës së Kosovës.

“Kjo festë, është një moment reflektimi dhe krenarie kombëtare, që mishëron sakrificën, përkushtimin dhe vizionin për liri e shtetndërtim. Pavarësia e Kosovës përfaqëson triumfin e vullnetit të lirë të qytetarëve për të ndërtuar një shtet demokratik, të drejtë dhe të orientuar drejt së ardhmes evropiane”, shkruan Gashi.

Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Republika e Kosovës, siç theksohet në urim, gëzojnë marrëdhënie të shkëlqyera. Lidhjet tona fqinjësore, shoqërore dhe historike janë të forta dhe përbëjnë një themel të palëkundur për thellimin e mëtejmë të partneritetit ndërmjet dy vendeve tona.

“Në këtë ditë të rëndësishme, riafirmojmë mbështetjen tonë për rrugëtimin e suksesshëm të Republikës së Kosovës dhe shprehim bindjen se bashkëpunimi ynë vëllazëror do të vazhdojë të thellohet në funksion të paqes, stabilitetit dhe prosperitetit të rajonit, si dhe të avancimit të agjendës sonë të përbashkët euroatlantike. Gëzuar Dita e Pavarësisë së Republikës së Kosovës!”, theksohet në urimin e Gashit.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit