Fetai: Qeveria po tregon përkushtim të jashtëzakonshëm lidhur me integrimet evropiane

Zëvendëskryeministri dhe njëri nga liderët e VLEN, Arben Fetai lidhur me integrimet evropiane ka thënë se qeveria është duke treguar përkushtim të jashtëzakonshëm për të dëshmuar rezultate të forta dhe të prekshme lidhur me agjendën e reformave që kemi me BE-në.

Në vijë të kësaj, shton ai janë edhe takimet në baza javore në kabinetin e kryeministrit me ministrat përgjegjës, drejtorët e kështu me radhë.

“Çështja tjetër pastaj me Bullgarinë është çështje politike që kërkon zgjidhje të dakorduar midis palëve, është çështje e dialogut dhe mirëbesimit. Duhet parë edhe zhvillimet në Bullgari ku ka pasur një jostabilitet të jashtëzakonshëm në nivel politik, zgjedhje të përsëritura shumë herë prej kur kemi filluar si qeveri e re. Besoj se do të vjen një periudhë muajve në vazhdim ku do të intensifikohen kontaktet dhe do të gjejmë një zgjidhje për të tejkaluar këtë pengesë të fundit për hapjen e negociatave për në Bashkimin Evropian”, u shpreh mes tjerash zv/kryeministri Fetai.

Për provimin e jurisprudencës do të ketë zgjidhje, rini të qetë

Zëvendëskryeministri dhe njëri nga liderët e VLEN, Arben Fetai lidhur me provimin e jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe ka thënë se çështja do të zgjidhet me mirëbesimin më të madh mes partnerëve të koalicionit.

Ai paralajmëron takime intensive mes pushtetit politik dhe botës akademike në këtë rrafsh.

“Do të gjejmë një zgjidhje, rini të qetë, kjo çështje do të zgjidhet me mirëbesimin më të madh mes partnerëve të koalicionit, kryeministri ka folur qartë dhe ka thënë se kushdo që kërkon që provimin ta kalojë në gjuhën e tij amtare, do t’i jepet kjo mundësi”, ka thënë Fetai në “Click plus” në TV21.

Më vjen keq, shton Fetai që çështjet e tilla vazhdojnë të politizohen dhe të përdoren për politika ditore nga subjektet politike.

“Edhe 24 vite pas Marrëveshjes së Ohrit ne vazhdojmë të merremi me çështje që kanë të bëjnë me avancimin e statusit zyrtar të gjuhës shqipe në vendin tonë. Aq më keq ku nga viti 2000 e këndej në këtë çerekshekull, kemi pasur 7 ministra shqiptarë të Drejtësisë, ku do duhej të zgjidhej që moti dhe të mos ishte temë ditën e sotme”, thekson Fetai.

Pse nuk është zgjidhur kjo çështje deri tani, pyet ai, kur kjo kushtetutë është që nga viti 2002 e që nuk e kanë zgjidhur këtë çështje.

Në nivel të qeverisë, shton ai tutje, është duke u punuar në zgjidhjen e cila është çështje administrative, ndërsa duhet të gjendet zgjidhja e më e mirë ligjore dhe provimi të kalohet edhe në gjuhën shqipe.

“Ka pasur disa takime, në nivel të qeverisë përfshirë edhe ekspertë të së drejtës kushtetuese për të parë se cilat intervenime duhet të bëhen. Do të ketë takime intensive mes pushtetit politikë dhe botës akademike dhe do të gjejmë një zgjidhje”, ka nënvizuar Fetai.

Tre dokumente për bashkimin e VLEN-it, barabarësia është parim themelor

Zëvendëskryeministri dhe njëri nga liderët e VLEN, Arben Fetai në emisionin në “Clik plus” në TV21 ka bërë të ditur se janë përgatitur tre dokumente për bashkimin e VLEN-it. Duke folur për çështjen e liderit ai thekson se njëra nuk e përjashton tjetrën, mund të jetë një kryesues, një kryetar i zgjedhur me rotacion që është një nga opsionet që diskutohet.

“I kam mbledhur strukturat e mia dhe kemi diskutuar në vazhdimësi, zhvillimet në kuadër të koalicionit drejt unifikimit të VLEN. Diskutimet kanë qenë intensive nga nëntori e këndej, janë hartuar disa dokumente, të parin e atij lloji pas disa takimeve që kemi pasur e ka hartuar ish kryetari i Alterntativës, Zeqirija Ibrahimi që ka vendosur disa parime në letër dhe disa pista të mundshme drejt unifikimit të VLEN. Para disa javësh bazuar në atë draft të Ibrahimit dhe diskutimeve që kanë vazhduar kam përgatitur një dokument të radhës, i dyti për të ardhmen e VLEN-it i cili diskuton parimet dhe opsionet e ndryshme që mund merr ky unifikim. Është edhe një dokument i tretë të cilin e ka përgatitur deputeti dhe koordinatori i grupit parlamentar, Bekim Qoku bazuar në këto dy dokumente tjera”, ka thënë Fetai.

Ai ka shtuar se barabarësia mes katër partive është parim themelor, duke sqaruar se “hisja e VLEN ndahet në katër çerek”.

“Aty janë disa parime. E para është barabarësia e katër subjekteve, siç e dini hisja brenda VLEN ndahet në katër çerek. Dhe ky për mua është parim bazë i VLEN, kjo është formula realisht e suksesit të VLEN-it si në zgjedhjet parlamentare ashtu edhe ato lokale”, ka thënë ai.

Taravari dhe Sela figura tragjike, çështja e vulave të ASH-së do të marrë epilog

Zëvendëskryeministri dhe njëri nga liderët e VLEN, Arben Fetai në “Click plus” në TV21 ka thënë se Taravari dhe Sela janë figurat më tragjike, sepse nuk kanë ditur të ruajnë konsistencën dhe të mbajnë lidhjen ideologjike të ASH-së.

Sipas tij, ka kontakte të vazhdueshme mes deputetëve të Aleancave, jemi bërë disa grupe siç thotë dhe është për të ardhur keq, “pasi dy ish liderë na kanë sjellë në këtë derexhe”.

“Ka ikje të përditshme nga krahu i Taravarit përfshirë figurat më të larta, ka lëvizje edhe në anën e Selës, çështja e vulave të ASH-së do të marrë epilogun e saj në Gjykatën e Tetovës, varësisht kësaj mund të ndodhin rikonfigurime të reja”, ka thënë ai.

Shton se me Ziadin Selën nuk ka pasur kontakte së paku për 3, 4 vite, sepse siç thotë, “kam qenë çdoherë kundër BDI-së”.

Sipas tij, koalicioni VLEN është dëshmuar me vota.

“Pushteti jonë ka dëshmuar se ka shumicë absolute prej 2/3, kaluam Safe city, Avokatin e popullit, kemi edhe shumicë të Badenterit, nuk na duhet për vota askush me këto numra”, ka thënë Fetai.

Shton se si VLEN kanë ruajtur votat ndërmjet dy cikleve zgjedhore, AKI për shkak të ikjes së Taravarit atje nuk arriti të ngrejë vota, u zhdukën mbi 30 mijë vota.

Ai tha se deputeti i pavarur, Ilir Demiri është më se i mirëseardhur në VLEN, po edhe të Aleancave tjera.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit