Kosova feston 18-vjetorin e Pavarësisë, rrugëtimi i gjatë politik dhe historik i vendit drejt lirisë

Kosova shënon sot 18 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë, një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë moderne të vendit.

Më 17 shkurt 2008, në orën 15:39, Kuvendi i Kosovës, në një mbledhje të jashtëzakonshme me pjesëmarrjen e 109 deputetëve  shpalli njëzëri Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik. Deklarata e Pavarësisë u lexua nga kryeministri i atëhershëm, Hashim Thaçi, në prani të deputetëve dhe të presidentit të asaj kohe, Fatmir Sejdiu. Ndër nënshkruesit e parë të deklaratës ishin Sejdiu, kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi dhe vetë Thaçi.

Shpallja e Pavarësisë erdhi pas një rrugëtimi të gjatë politik dhe historik. Në fund të viteve ’80, shqiptarët e Kosovës organizuan protesta masive kundër politikave represive të regjimit serb të udhëhequr nga Slobodan Millosheviçit. Gjatë viteve ’90, lëvizja për rezistencë paqësore u udhëhoq nga Ibrahim Rugova, i cili angazhoi diplomacinë ndërkombëtare për çështjen e Kosovës.

Në vitin 1997 doli publikisht Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ndërsa përshkallëzimi i konfliktit çoi në sulme dhe masakra ndaj civilëve shqiptarë. Një nga ngjarjet më të rënda ishte masakra e Reçakut në janar 1999, e cila u cilësua si masakër nga shefi i misionit të Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë në Kosovë, William Walker.

Më 24 mars 1999, NATO nisi ndërhyrjen ushtarake kundër forcave serbe, e cila zgjati deri më 10 qershor 1999. Pas tërheqjes së forcave serbe, Kosova u vendos nën administrimin e Misioni i Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë.

Procesi për statusin përfundimtar të Kosovës nisi zyrtarisht në vitin 2005. Më 2 shkurt 2007, i dërguari special i OKB-së, Martti Ahtisaari, paraqiti planin e tij për zgjidhjen e statusit, i cili parashihte pavarësinë e mbikëqyrur të Kosovës.

Pas disa raundeve bisedimesh ndërkombëtare, më 17 shkurt 2008, Kosova u shpall zyrtarisht shtet i pavarur, duke hapur një kapitull të ri në historinë e saj.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit