Një mësuese e dashur në shkollën Detroit Country Day School është nderuar me një rekord botëror Guinness, pasi ka zhvilluar mbi gjashtë dekada mësimdhënie pa ndërprerje.
Beverly Hannett-Price, 90 vjeç, u shpall zyrtarisht mbajtësja e rekordit për karrierën më të gjatë si mësuese e gjuhëve (femër) gjatë një ceremonie të organizuar në Qendrën e Arteve Performuese të shkollës. Ky vlerësim shënon më shumë se 67 vite mësimdhënie, ku ajo ka edukuar mijëra nxënës në institucione të ndryshme arsimore.
Mësuesja u nominua për këtë nderim nga ish-nxënësit e saj dhe nuk ishte në dijeni për çmimin deri në momentin e ceremonisë. Në këtë ngjarje morën pjesë edhe ish-kolege dhe ish-nxënës të saj, mes tyre aktori i njohur fitues i çmimeve Tony dhe Emmy, Courtney B. Vance.

“Ky është surpriza më e jashtëzakonshme në 90 vitet e jetës sime. Të nderohesh në një mënyrë kaq publike është e pabesueshme”, u shpreh Hannett-Price.
Gjatë karrierës së saj, ajo ka mësuar mijëra nxënës, shumë prej të cilëve më vonë u bënë figura të njohura në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Ndër ish-nxënësit e saj janë aktori dhe komediani i ndjerë Robin Williams, si dhe ish-drejtori ekzekutiv i Microsoft dhe pronari aktual i ekipit Los Angeles Clippers, Steve Ballmer, transmeton KultPlus.
E diplomuar në Albion College, Hannett-Price e nisi karrierën e saj në vitin 1958. Ajo punoi për pesë dekada në Detroit Country Day School, ku u bë një nga figurat më të respektuara të arsimit dhe një pioniere për gratë në institucion, duke qenë mësuesja e parë femër në ciklin e lartë, kryetarja e parë femër e departamentit dhe dekane e parë femër.
Ajo u bë e njohur për metodat kreative dhe inovative të mësimdhënies, duke përdorur projekte si “Living Words”, të cilat nxisnin mendimin kritik, shprehjen dhe kuriozitetin intelektual te nxënësit.
Pavarësisht më shumë se gjashtë dekadave në klasë, Hannett-Price vazhdon ende të japë mësim. Rekordi i saj Guinness konfirmon se ajo është mësuesja femër e gjuhëve me shërbimin më të gjatë në botë, bazuar në vite të dokumentuara dhe të pandërprera mësimdhënieje në disa institucione arsimore amerikane.
Pas ceremonisë, u organizua edhe një pritje me familjarë, nxënës dhe kolegë, në nder të kontributit të saj të jashtëzakonshëm në arsim./KultPlus.com



