Wolfgang Amadeus Mozart ishte më i vogli nga shtatë fëmijët e familjes Mozart, por vetëm ai dhe motra e tij Maria Anna, e njohur si Nannerl, mbijetuan. Babai i tij, Leopold Mozart, violinist dhe pedagog muzike në oborrin e Salzburgut, e zbuloi shumë herët talentin e jashtëzakonshëm të të birit.
Që në moshën katërvjeçare, Mozarti filloi të kompozonte pjesë të shkurtra muzikore, ndërsa në moshën tetëvjeçare shkroi simfoninë e tij të parë. Talenti i tij i jashtëzakonshëm bëri që familja të ndërmarrë turne të gjata nëpër Evropë, ku ai dhe motra e tij performuan në oborre mbretërore nga Vjena e Parisi deri në Londër e Amsterdam.
Këto udhëtime ndikuan thellë në formimin e tij artistik, duke e njohur me kompozitorët dhe rrymat më të rëndësishme muzikore të kohës.
Mozarti arriti një mjeshtëri të plotë në të tri zhanret kryesore të operës së shekullit XVIII:
opera seria (opera serioze),
Singspiel (opera gjermane me dialog të folur).
Kryeveprat e tij operistike si Dasma e Figaros, Don Giovanni, Così fan tutte, Idomeneo dhe Flauti Magjik përfaqësojnë kulmin e operës evropiane dhe vazhdojnë të interpretohen në skena anembanë botës.
Veçanërisht dekada e tij e artë në Vjenë (1781–1791) shënoi bashkëpunimin legjendar me libretistin Lorenzo Da Ponte, duke krijuar disa nga veprat më të rëndësishme në historinë e muzikës.
Vitet e fundit dhe veprat e pavdekshme
Vitet e fundit të jetës së Mozartit ishin jashtëzakonisht produktive. Në këtë periudhë ai kompozoi disa nga veprat më emocionale dhe më të thella të krijimtarisë së tij, përfshirë:
Simfonia nr. 40 në Sol minor,
Koncerti për klarinetë,
Ave Verum Corpus,
Requiem në Re minor, vepër që mbeti e papërfunduar në momentin e vdekjes së tij në vitin 1791.
Në muajt e fundit të jetës, ai krijoi edhe dy opera madhore: Flauti Magjik, një alegori filozofike dhe njerëzore, dhe La clemenza di Tito, e kompozuar për kurorëzimin e perandorit të ri.
Mozarti konsiderohet kompozitori që i afrohet më së shumti William Shakespeare-it për nga thellësia dramatike dhe universialiteti njerëzor. Muzika e tij arrin të shprehë njëkohësisht gëzimin, dhimbjen, ironinë dhe ndjeshmërinë njerëzore me një qartësi të rrallë.
Edhe pse në shekullin XVIII u konsiderua tepër kompleks, ndërsa në shekullin XIX shumë i thjeshtë, vetëm në shekullin e fundit është kuptuar plotësisht thellësia emocionale dhe psikologjike e veprës së tij.
Sot, më shumë se 260 vjet pas lindjes së tij, muzika e Mozartit vazhdon të jetë pjesë e koncerteve, filmave, letërsisë dhe kulturës popullore, duke dëshmuar se gjenialiteti i tij mbetet i përjetshëm.
Disa nga ariet dhe pjesët më të njohura të Mozartit
“Non più andrai” – Dasma e Figaros
“Madamina! Il catalogo è questo” – Don Giovanni
“La ci darem la mano” – Don Giovanni
“Soave sia il vento” – Così fan tutte
“Der Vogelfänger bin ich ja” – Flauti Magjik
Në këtë ditë të veçantë, trashëgimia e Wolfgang Amadeus Mozartit vazhdon të frymëzojë breza të tërë, duke e bërë atë një nga figurat më të pavdekshme të historisë së artit botëror./KultPlus.com



