Qytetarët e Maqedonisë së Veriut, duke filluar nga sot, mund t’i sigurojnë në mënyrë digjitale certifikatat nga Librat Amë, si dhe vërtetimin për gjendjen martesore. Drejtoria për Udhëheqjen e Librave Amë ka transferuar plotësisht shërbimet e saj në portalin kombëtar për shërbime elektronike uslugi.gov.mk, duke mundësuar që certifikatat nga libri amë i të lindurve, i të martuarve dhe i të vdekurve, si dhe vërtetimi për gjendjen martesore, të merren online pa pasur nevojë për paraqitje fizike në sportele.
Ky hap vlerësohet si një avancim i rëndësishëm në procesin e digjitalizimit të shërbimeve publike, veçanërisht duke pasur parasysh se Drejtoria e Librave Amë për një kohë të gjatë ka qenë në fokus të kritikave për vonesa dhe ngecje në digjitalizim, pavarësisht fondeve milionëshe të shpenzuara për këtë qëllim. Ndërkohë, dje janë promovuar edhe katër shërbime të reja online nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore (FSSH), të cilat tashmë janë të qasshme për qytetarët përmes portalit uslugi.gov.mk, me synim lehtësimin e procedurave administrative dhe rritjen e efikasitetit të shërbimeve shëndetësore.



