Shkup, 2 janar – VLEN me kënaqësi të veçantë dhe krenari të plotë politike përshëndet miratimin e ligjeve të reja reformuese, të cilat shënojnë një kthesë të madhe dhe vendimtare në luftën kundër ekonomisë gri dhe në ndërtimin e një ekonomie të fortë, të drejtë dhe plotësisht formale në vend.
Me udhëheqjen e Ministrit të Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, Qeveria po dëshmon vendosmëri të qartë për të vendosur rregull, transparencë dhe siguri në tregun e punës. Ligji për Angazhimin me Punë të Personave, që hyn në fuqi nga 1 janari 2026, përfaqëson një reformë thelbësore dhe moderne, duke krijuar kushte reale për nxjerrjen e mijëra qytetarëve nga informaliteti.
Ky ligj pritet të formalizojë mbi 17.000 persona, veçanërisht në sektorët ku ekonomia gri ka qenë më e theksuar, si bujqësia dhe turizmi, duke garantuar pagesë të drejtë, kontribute të rregullta dhe mbrojtje ligjore për punëtorët, si dhe procedura të thjeshtuara dhe efikase për punëdhënësit.



