Në qetësinë e një mëngjesi të hershëm, kur dritat e para të diellit rrëshqasin mbi çatitë e Tiranës dhe çdo hije duket sikur ka një histori për të treguar, lind zëri i një artiste që shikon botën ndryshe. Blerta Kambo nuk është thjesht një fotografe, ajo është një vëzhguese e kujtesës dhe e përjetimeve njerëzore, një udhëtare në labirintin e së bukurës dhe të dhimbshmes, ku çdo imazh flet më shumë se fjalët, shkruan KultPlus.
Çdo klik i aparatit të saj është një hap drejt kuptimit, çdo dritë që kap, një reflektim mbi jetën dhe brishtësinë e saj. Në këtë univers të dritës, hijeve dhe kujtimeve, fillon rrëfimi i një krijueseje që sfidon kohën, paragjykimet dhe heshtjen, duke na thënë se arti nuk është vetëm pamje, por një rrugë e brendshme që lidh shpirtin me botën.

Fëmijëria e Blertës Kambo nuk ishte vetëm një kujtim i butë i ditëve të diellit që thërrisnin për lojëra në pemë dhe baltë, por edhe një kontrast i hidhur i historisë që e rrethonte.
“Unë kam qenë një fëmijë i rritur në vitet ’90, njëkohësisht kam përjetuar një fëmijëri shumë të bukur me lojëra në pemë, dhe në baltë dhe në lagje, dhe njëkohësisht ajo ndërprerje e papritur që ndodhi në ’97-ën, ku praktikisht po luanim me plumba,” thotë ajo.
Ky vit, shpjegon Blerta, është një burim që ajo vazhdon të eksplorojë në artin e saj, një vit që askush nuk ka folur mjaftueshëm.
Artin e takoi pa e kërkuar, një dashuri e lindur pa formim të planifikuar.
“Kontakti me artin… nuk më kujtohet, të jem e sinqertë. Di vetëm që kam qenë fëmijë i privilegjuar, le të themi, sepse duke qenë fëmija i tretë, pak më i llastuar, prindërit më kanë lënë të lirë të zbuloj botën. Unë nuk jam rritur me libra në shtëpinë time. Nuk kam pasur dikë në familje që kishte lidhje me artin, as nuk ma ka shkuar në mendje ndonjëherë,” rrëfen ajo.
Megjithatë, një kureshti e hershme për jetën dhe ekzistencën e saj e shoqëroi gjithmonë: “Mbaj mend ndoshta edhe një nga kujtimet e mia më të vogla, më të hershme, në të cilat shihja duart e mia dhe thoja: ‘Pse jam unë në këtë trup, pse nuk është dikush tjetër?’ Do të thoja një qasje filozofike për një fëmijë.”

Leximi dhe muzika u bënë strehë dhe rrugë drejt shprehjes së vetvetes.
“Kam dashur të mësoj pianon. Kam dashur gradualisht t’i afrohem librave dhe e kam bërë. Më kujtohet që në adoleshencë nofka ime ka qenë ‘Niçeska’, sepse kam qenë shumë shumë e dashuruar me Niçen, dhe me filozofinë e tij, në përgjithësi me filozofët gjermanë. Shkruaja pak, por nuk besoj se kam qenë e zonja. Thjesht ishte një mënyrë e imja për t’u shprehur, për të pasur një lloj pastrimi, pa e kuptuar. Është… ka qenë shumë e natyrshme,” thotë Blerta.
Rruga drejt fotografisë erdhi gradualisht dhe e fuqizuar nga rrethanat. Gjatë studimeve për Inxhinieri Mjedisi dhe Mbrojtje Mjedisi, ajo filloi të dokumentonte zonat e ndotura të Tiranës.
“Dhe ka ardhur çështja e rrethanash, sepse ajo punë që unë doja të bëja në mbrojtjen e mjedisit po më dukej krejtësisht e pamundur në një botë në të cilën konsumi mbizotëron mbi natyrën. Kështu që dedikimi me kohë të plotë ka ardhur i forcuar nga rrethanat, por si një nevojë e imja për t’i dhënë kuptim botës që më rrethonte.”

Një libër, “Neveria” nga Jean-Paul Sartre, e frymëzoi për të parë përtej pamjes së jashtme dhe për të zhvilluar “syri i mendjes”: një aftësi për të parë, për të inkubuar dhe për të krijuar.
“Dhe duke qenë si personazhi kryesor i librit, që është vazhdimisht në rrugë duke ecur, duke i përjetuar njerëzit një formë ose tjetër, me një lloj humori të zi dhe me një lloj qasjeje ndjesore, ka qenë shumë frymëzuese për mua në lidhje me të parin në fotografinë, pastaj më vonë sigurisht në çdo këngë, çdo poezi, çdo tekst, çdo imazh, çdo gjë që pason. Një bisedë, një shikim, një dritë që bie mbi një formë apo mbi një ndërtesë. Çdo gjë më frymëzon dhe kam mësuar ta marr shumë seriozisht këtë gjë.”
Rruga e saj profesionale nisi thjeshtë, por me pasion të papërmbajtshëm. Ajo fotografonte çdo gjë dhe çdokënd, duke kapur momente që njerëzit nuk i kishin menduar të mundshme të shpërndaheshin në rrjetet sociale. Punë të tilla të para e çuan drejt kopertinave të revistave dhe institucioneve të ndryshme, duke i hapur rrugën një karriere profesionale. Por, për Blertën, nuk ishte gjithmonë e lehtë.
“Ka qenë e vështirë sepse kam qenë një ndër gratë e para fotografe dhe nuk ishte një imazh që mund ta shihje shpesh. Ka pasur shumë paragjykim, nënvlerësim, mund të themi, dhe ngacmime. Por ideja ishte që unë nuk kam hequr dorë. Dhe tani është gjëja më normale dhe gjëja më e bukur të shohësh vajza ose gra fotografe dhe më vjen mirë për këtë gjë. Por para njëzet vitesh thuajse nuk ka qenë kështu”, thotë ajo.
Megjithatë, pyetja e mundësisë për të hequr dorë nuk i ka munguar asaj. “Ka pasur shumë momente që kam menduar të heq dorë, si në çdo gjë, dhe vazhdon të ketë momente që them që duhet të heq dorë. Tani më pak, sigurisht, sepse kam atë vetëbesim, por prapë. Domethënë, nuk ka alternativë tjetër. Ka gjithmonë momente shumë të vështira. Ka momente që pyet dhe vë në dyshim çdo gjë: ‘Çfarë po bëj, a ka kuptim, a është ky mjeti me të cilin unë dua të kontribuoj dhe të them diçka në botë?’ Dhe pas njëfarë kohe bëhet më e thjeshtë sepse ti e kupton që do ketë momente të vështira.”
Puna për Bashkimin Evropian i dha një dimension tjetër karrierës.
“Të punoj për Bashkimin Evropian ka qenë një eksperiencë shumë e bukur. Ka qenë një eksperiencë në të cilën më ka bërë ta shoh Shqipërinë pak më ëmbël, ndonëse unë vija nga puna si fotografe e kryeministrit Rama në mandatin e parë, por ajo periudhë ka qenë me shumë ndryshime dhe ka qenë shumë intensive.

”Për dy ambasadorë, Flautin dhe Soreca, ajo punoi me kujdes dhe përkushtim, por thekson: “Formimi im në stilin fotografik nuk është realizuar vetëm nga kjo eksperiencë… çdo gjë e formëson stilin. Ne ndryshojmë vazhdimisht, ose duhet të ndryshojmë, për mendimin tim. Nuk është vetëm një eksperiencë që e përcakton atë gjë. Çdo gjë na ndikon, çdo ditë, ne ndryshojmë”, shprehet Blerta
Fotografimi i fushave të ndryshme dhe ndërthurja e stileve u bë një pjesë thelbësore e karrierës së saj. Blerta tregon se fotografimi në fusha të ndryshme ka ardhur edhe për shkak të rrethanave. Në vende të tjera, lloji i fotografisë që ti bën është shumë specifik.
“Zakonisht njerëzit kanë prirje të formësohen vetëm në një drejtim, vetëm në një nishë, vetëm në një fushë. Ndërkohë, për shkak të mungesës, për shkak të stilit, për shkak të punës së kontakteve, më është dashur dhe kam dashur unë vetë të punoj dokumentarë, modë, politikë, korporate… shumë lloje fotografie. Dhe më vjen shumë mirë për këtë gjë, sepse në secilën prej tyre ti sjell një element që është krejtësisht unik i yti”, thotë Blerta tutje.
Pasioni për të hyrë në jetët e të tjerëve është i dukshëm në çdo project. “Dashuroja këtë gjë që në fillim: të shkosh në jetën e të tjerëve, pavarësisht se kjo përfshinte një punë ku po fotografon një objekt apo po fotografon dikë në një moment shumë intim të jetës së tyre. E kam dashuruar gjithmonë këtë pjesë: jetët e të tjerëve”, tha ajo.
Ky përkushtim ndaj njerëzve dhe detajeve të tyre i dha Blertës aftësinë të ndërthurë imazhin me emocione, dhe t’i japë çdo fotografie një shpirt të gjallë.
Momentet e saj të para profesionale, kur nisi të paguhej si fotografe, ishin gjithashtu vendimtare për identitetin e saj artistik. “Atëherë fillova ta konsideroja veten profesioniste,” thotë ajo.
Aftësia për të punuar në terren dhe për të formësuar syrin artistik nuk vinte thjesht nga talenti, por nga stërvitja dhe përvoja e vazhdueshme: “Syri artistik është diçka që ti e stërvit përditë dhe është një muskul që nuk duhet lënë kurrë pa stërvitur. Dhe në momentin që ti udhëton, kur ke sa më shumë kontakt me botën, atëherë arrin të formësosh një ndjesi që është krejtësisht e jotja.”
Në kërkimin e saj për një formim më të thellë, Blerta vendosi të studiojë te London Film School, një ëndërr që kishte kultivuar për gati një dekadë.
“Duke qenë se unë nuk kam studiuar fotografi, jam autodidakte, dhe nuk kam bërë liceun apo akademinë e arteve, e dija gjithmonë që kisha nevojë për një formësim artistik profesional. Kam qenë e dashuruar me imazhin që lëviz dhe jam ende e dashuruar me imazhin që lëviz,” rrëfen ajo.
Shkolla i ofroi një qasje të thelluar dhe profesionale ndaj imazhit dhe lëvizjes, duke i dhënë mundësinë të ndërthurë artin e fotografisë me atë të filmit, të përmbledhë dhe shprehë mendimin e saj artistik në formë narrative.
Filmi, sipas saj, nuk është vetëm një imazh; ai është një histori, një rrëfim i tërë ku secila skenë ka rëndësinë e vet: “Filmi është arti që i përmbledh të gjitha. Përmbledh fjalën, që është e para. Përmbledh muzikën, sound-in, që është shumë e rëndësishme, kolonën zanore. Përmbledh sigurisht imazhin, dritën, aktrimin, gjithçka. Dhe është forma e artit që i ka të gjitha artet brenda, mendoj.”
Kjo përqasje e bën veprën e saj multidimensionale, ku fotografia, filmi, dhe çdo medium tjetër bashkëpunojnë për të krijuar një tërësi artistike.
Në punën e saj konceptuale dhe sociale, Blerta ka eksploruar tema të thella: drejtësi sociale, ekofeminizëm, trupi, kujtesa, historia.
“Këto janë punë artistike, arti konceptual, të cilave unë i kam dhënë liri vetes vitet e fundit të merrem me këtë gjë. Kanë qenë punë artistike që unë prej shumë vitesh i kam bluar brenda vetes, por nuk kam pasur kurrë kurajon të merrem,” rrëfen ajo.
Ndërkohë që më parë ndjehej inferior, duke mos ardhur nga një sfond i artit, ajo mësoi të lërë mënjanë frikën dhe të marrë hapin drejt të qenit artiste. “Nuk ke nevojë për lejen e askujt. S’ka për të ta dhënë kurrë askush lejën.”
Mes sfidave dhe kritikave, ajo gjeti forcën për të mos u ndalur. Margaret Atwood e frymëzoi me idenë që krijimi është si një maratonë.
“Nuk është një sprint, është një maratonë. Fillon, vrapon, vrapon, ka shumë njerëz në fillim. Pastaj ti vrapon, është e vështirë, por nuk ndalesh… Dhe ndonëse ajo është rruga jote, nuk duhet të ndalesh”, u shpreh Blerta.
Një nga veprat e saj që solli sfida emocionale dhe publike ishte “Dielli i Ditës Tjetër”, një instalacion i fuqishëm mbi mozaikun e Tiranës, dedikuar grave që kanë përjetuar betejën me kancerin e gjirit.
Blerta përshkruan reagimet e ndryshme: “Mesazhi u deformua qëllimisht nga disa individë me agjendë shumë të dyshimtë online, dhe pastaj disa media që nuk bëjnë fact-check e amplifikuan. Por unë njëkohësisht kam marrë me qindra mesazhe mbështetjeje dhe pa dashur ata njerëzit zemërngushtë e bënë shumë popullore.”
Instalacioni, duke respektuar mozaikun origjinal, solli një mesazh të qartë për forcën dhe brishtësinë e grave: “Është një dedikim për gratë që e kanë kaluar ose po e kalojnë dhe për ato që e kanë humbur këtë betejë.”
Në këtë rrugëtim, heshtja e publikut apo zhurma e kritikës nuk e trembin: “Heshtja e publikut do më frikësonte më shumë sesa zhurma e kritikës, sepse do të thotë që nuk i ka shkaktuar askujt asgjë, asnjë lloj ndjesie.” Reagimet e njerëzve, sipas saj, ndikojnë vetëm kur vijnë nga personat e duhur.
“Nëse mund t’i inatos njerëzit e duhur, do ta bëj gjithmonë. Dhe ‘njerëzit e duhur’ i kam parasysh njerëzit me të cilët në jetën reale nuk do dilja kurrë në debat, sepse nuk ndajnë të njëjtat vlera për njerëzillëkun dhe barazinë e të drejtave të njeriut”, tha ajo.
Balanca mes jetës personale dhe natyrës kërkuese të profesionit, për Blertën, është e pamundur: “Nuk ekziston balanca. Është e pamundur. Nuk ka balancë midis jetës personale dhe natyrës kërkuese të profesionit. Në çdo moment unë bart me vete, brenda meje, këtë identitet.”
Ritualet e saj krijuese janë të shndërruara në pjesë të jetës së përditshme.
“Kur më vjen një ide, dhe kam pafund ide, i shkruaj, i jap një lloj forme dhe pastaj i lë në inkubacion. Nëse kam urgjent diçka, dhe gjithmonë deadline-i është frymëzuesi më i madh, dal për një ecje. Ecja më frymëzon shumë, në natyrë. Procesi krijues është shumë i çuditshëm, sepse ndodh vetvetiu brenda në kokë nëse ti e lejon dhe nëse nis nga një vend i vërtetë dhe i sinqertë”, u shpreh tutje Blerta.
Projektet e ardhshme të saj lidhen ngushtë me mjedisin dhe mbrojtjen e natyrës, dhe ajo shpreson që pas dhjetë vitesh Blerta e së ardhmes të jetë më e guximshme, më e dashuruar dhe më mirënjohëse për sakrificat që po bën sot:
“Të ketë më shumë kurajo sesa unë kam sot. Të ndihet më shumë e dashuruar sesa unë jam sot. Dhe të mund të japë më shumë dashuri në botë sesa unë jap sot, sepse vetëm me dashuri dhe me vërtetësi mund të ketë krijim.”
Dhe ndërsa bota vazhdon të lëvizë përreth saj, Blerta ecën me një hap të qetë, duke mbajtur në dorë aparatin fotografik si një shtyllë besimi dhe syri i mendjes si një dritare të hapur për botën. Çdo dritë që bie mbi një mur të brishtë, çdo shikim i rastësishëm që përfundon në lente, çdo histori e jetuar apo e përjetuar, bëhet pjesë e saj, pjesë e artit që rrjedh pa ndërprerje nga brendësia e saj.
Puna e saj nuk është thjesht një dokumentim; është një dialog me botën, një thirrje për vëmendje ndaj së bukurës dhe të dhimbshmes, ndaj së drejtës dhe forcës që ka secili brenda vetes. Ajo kujton për betejën, për kujtesën dhe për shpresën, duke treguar se arti nuk është vetëm një imazh, por një mënyrë të shohësh jetën, të kuptosh dhimbjen dhe të nderosh triumfin e të tjerëve.
Në fund, rruga e Blertës është një maratonë e pandalshme. Një maratonë ku çdo hap, çdo klik i aparatit, çdo ide e shkruar dhe çdo instalacion i ngritur është një hap drejt ndriçimit, një hap drejt të kuptuarit dhe një hap drejt shpërndarjes së dashurisë dhe vërtetësisë në botë. Dhe kur të kthehet pas pas dhjetë vitesh, ajo do të shohë vetën të qëndrojë, jo vetëm si artiste, por si dëshmi e një përkushtimi që nuk ndalet kurrë – një dëshmi që arti ka fuqinë të shërojë, të zgjojë dhe të ndryshojë botën./KultPlus.com



