Këshilli i Komunës së Strugës zgjodhi sot kryetarin e ri. Me 14 vota “pro” dhe 9 “kundër”, Mite Stefoski nga radhët e VMRO-DPMNE u emërua kryetar i Këshillit Komunal, duke i dhënë fund paqartësive rreth udhëheqjes së këtij organi të rëndësishëm lokal.
Pas zgjedhjes, Stefoski falënderoi këshilltarët që e mbështetën, duke theksuar se ky funksion për të përfaqëson njëkohësisht kënaqësi dhe përgjegjësi të madhe.
“Edhe pse mund të mos pajtohemi gjithmonë me mendimet e njëri-tjetrit, do të udhëheq me parimin e respektit dhe të debatit demokratik. Puna e këtij Këshilli do të zhvillohet në përputhje të plotë me ligjin dhe procedurat normale. Pres që me punë konstruktive të propozojmë iniciativa dhe, së bashku, të kontribuojmë për prosperitetin dhe të mirën e Strugës,” deklaroi Stefoski.
Ai shtoi se para Këshillit qëndron shumë punë dhe se këshilltarët duhet të jenë të përgjegjshëm ndaj qytetarëve që u kanë dhënë besimin, me qëllim përmirësimin e kushteve të jetesës në komunë. Sipas tij, bashkëpunimi mes pozitës dhe opozitës është i domosdoshëm për gjetjen e zgjidhjeve më të mira për qytetin.
Me këtë vendim, Këshilli Komunal i Strugës hyn në një fazë të re të funksionimit institucional.
Ndërkohë, bëhet e ditur se Komuna e Strugës pritet së shpejti të kompletojë edhe pozitat e tjera drejtuese, përfshirë postin e sekretarit të Komunës, i cili, sipas marrëveshjeve politike, pritet t’i takojë koalicionit VLEN.



