“Zilet e Fundvitit” – Mbrëmje kulturore me panel diskutimi, dekorime dhe koncert artistik në Shkup

 

Shoqata për afirmimin e artit, kulturës dhe gruas “Gonxhet” organizon më 30 dhjetor 2025 (e martë) evenimentin kulturor “Zilet e Fundvitit”, një mbrëmje e veçantë që shënon përmbylljen e vitit dhe hapjen simbolike të një kapitulli të ri përmes reflektimit, artit dhe vlerave shoqërore.

Evenimenti do të zhvillohet në dy pjesë dhe në dy lokacione.

Pjesa e parë e programit nis në ora 18:00, në TV21 Event Hall, ku do të mbahet paneli i diskutimit dhe dekorimi i personaliteteve, i realizuar me përkrahjen e TV21. Në këtë pjesë do të nderohen personalitete të shquara për kontributin e tyre shoqëror, kulturor dhe profesional: Teuta Ajdini-Jegeni, Merita Abazi dhe Valdeta Kasapi. Paneli do të fokusohet në vlerat kulturore, rolin e gruas dhe vizionin për vitin 2026.

Pjesa e dytë e mbrëmjes vijon në ora 20:00, me koncert artistik në Çarshinë e Vjetër të Shkupit, i cili realizohet në bashkëpunim me Komunën e Çairit. Programi artistik do të sjellë performanca nga artistë të shquar, si dhe talentë të rinj të muzikës: Miranda Hashani, Valon Suma, Lindita Pirellku, Lorena Beadini, Konkordia Band, Duo Shkupi, si dhe DJ, duke krijuar një atmosferë festive dhe përbashkuese për publikun.

“Zilet e Fundvitit” synon të ngritet në platformë tradicionale kulturore që nderon vlerat, promovon dialogun dhe fuqizon rolin e gruas në shoqëri, duke e përmbyllur vitin me dinjitet dhe duke e hapur vitin e ri me shpresë dhe frymëzim.

Shoqata “Gonxhet” fton të gjithë qytetarët e Shkupit dhe më gjerë që t’i bashkohen këtij evenimenti kulturor, të marrin pjesë në panelin e diskutimit dhe të shijojnë koncertin artistik në Çarshinë e Vjetër të Shkupit.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit