Njëzet e tetë specializantë të degëve të ndryshme në spitalin Klinik të Tetovës kanë marrë vendimet e tyre të punës. Të njëjtit nga sot llogariten pjesë e stafit profesional të Spitalit.
Drejtori i Spitalit Klinik Erzen Elezi tha se Spitali ka ende vende vakante për specialistë të rinj të cilët sipas tij, pritet të punësohen me konkursin e dytë.
“Më shumë mungesë mjekësh ka në repartin e infektives, rengenologjisë dhe hematologjisë, që shpresoj me konkursin tjetër ti plotësojmë këto vende”, tha Erzen Sali, Drejtor i Spitalit Klinik Tetovë.
Për dallim nga 28 specializantët që sot morën vendime, 150 motra medicinale dhe stafi teknik e administrativ, ende nuk kanë vendime. Ministri i Shëndetësisë Azir Aliu i cili kishte premtuar se ky ngërç do të zgjidhet, thotë se vonesat janë për shkak të zgjedhjeve. Me të njëjtin arsyetim tha se nuk kanë filluar punimet për parkun memorial për viktimat e Kovid qendrës. Lidhur me paralajmërimet për investime prej 70 milion euro nga kredia britanike, Aliu tha se procedura kërkon kohë.
“Siç ceka për punësimet e njëjta vlen edhe për investimet. E dini se në periudhë të zgjedhjeve ne nuk kemi asnjë mundësi për të aktivizuar asnjë proces që lidhet me financa. Prisnim të përfundojnë zgjedhjet lokale, dhe për shkurt do nënshkruaj memorandumin që të vazhdojmë më tej, pas çka do hapet shpallja internacionale. Tani nuk varet nga unë sepse është memorandum nga dy shtete dhe çdo dokument duhet të kalon nga njëri tek tjetri shtet pastaj nënshkruan ministri në fund”, deklaroi Azir Aliu, Ministër i Shëndetësisë.
Ndryshe, Spitali Klinik i Tetovës, në disa reparte të tij funksionon ende me kapacitete të limituara, kjo, si pasojë e mungesës së kuadrit dhe pajisjeve që do mundësonin funksionim normal të këtij spitali. Situata më e rënduar paraqitej në repartin e ortopedisë, ku deri para disa muajsh, nuk bëhej dot as edhe një ndërhyrje si pasojë e mungesës së materiale për sallat e operacionit. /Alsat.mk





