Në shënim të Ditës Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara, kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra, priti sot në zyrën e tij fëmijët dhe stafin e Qendrës Ditore “Care for Disabled Kids”.
Gjatë takimit, Qyra shprehu mirënjohje për punën e palodhur të edukatorëve dhe stafit që kujdesen çdo ditë për fëmijët me aftësi të kufizuara, duke theksuar se kjo kategori meriton vëmendje të vazhdueshme dhe përkrahje institucionale.
Kryetari njoftoi gjithashtu se në Programin për vitin 2026 do të parashihet rritje e buxhetit për qendrën, me synim përmirësimin e kushteve dhe shërbimeve që u ofrohen fëmijëve.
Si shenjë solidariteti, ai bëri të ditur se paga e tij mujore do t’i dedikohet aktiviteteve dhe mbështetjes për fëmijët me aftësi të kufizuara.
Qyra theksoi se Struga mbetet një qytet që i përqafon dhe i mbështet këta fëmijë çdo ditë, duke shtuar se përkushtimi ndaj tyre është detyrim njerëzor dhe institucional.
Në fund të vizitës, fëmijët dhuruan punime simbolike, ndërsa takimi u zhvillua në atmosferë të ngrohtë dhe përfshirëse.





