Dhjetëra shtëpi të përmbytura, rrugë të mbyllura dhe rrëshqitje dheu në disa zona si rezultati i reshjeve të një dite më parë. Sipas Qendrës për Menaxhim me Kriza, më kritike ishte në Resnjë dhe rajonin përreth ku u përmbytën pesëdhjetë shtëpi.
“Në Komunën e Resnjës, si pasojë e reshjeve të dendura të shiut, ka pasur derdhje të lumenjve Bolnska dhe Istoçka në fshatrat Carev Dvor dhe Dërmeni, të cilat kanë përmbytur mbi 50 shtëpi, depo, bodrume dhe zona bujqësore. Niveli i lumenjve është rritur edhe në Shkup, por nuk ka rrezik. Në Manastir, rrugët Lera-Dolenci dhe drejt Caparit u mbyllën. Në Kriva Palankë dhe Kratovë, ekipet po pastrojnë më shumë rrëshqitje dheu në rrugët rajonale”, thonë nga Qendra për Menaxhimin e Krizave.
Në zonat ku pati përmbytje, për të mërkurën paralajmërohen reshje të reja.
“Do të ketë kushte për stuhi dhe erëra të forta. Tani për tani nuk priten reshje të reja, por nga mesi i javës së ardhshme vala vjen nga perëndimi, kështu që le të kalojmë disa ditë, e pastaj të flasim”, tha Marija Cvetkovska Atanasova, meteorologe në DPHM.
Përveç Resnjës, ekipi i Alsat dje mund të shihte rrugë të përmbytura, por edhe oborre dhe shtëpi në Ohër, ndërsa Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë sot lëshoi një apel për të shmangur ujin e pijshëm në zonat e përmbytura derisa situata të rregullohet.
“Nëse ka turbullim të dukshëm të ujit, ai nuk duhet të përdoret për pije dhe gatim, derisa gjendja të përmirësohet dhe derisa laboratori të konfirmojë se uji është i sigurt. Higjiena e duarve duhet të mirëmbahet rregullisht, kryesisht pas kontaktit me ujin e përmbytjeve ose objektet që janë përmbytur. Duhet të tregohet kujdes për të mbrojtur ushqimin e gatshëm që të mos bjerë në kontakt me ujin e përmbytjeve ose ujërat e zeza”, thonë nga AUV (Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë).
Agjencia gjithashtu rekomandon që nëse ka fëmijë të vegjël në familjet e përmbytura, ata duhet të ushqehen me ushqim të përgatitur në mënyrë industriale./Alsat.mk





