Këto janë faktet, mungojnë burimet njerëzore dhe materiale, ajo që ka konstatuar Komisioni Evropian është edhe qëndrimi ynë, deklaroi prokurori publik republikan, Lupço Kocevski, duke komentuar Raportin e KE-së për përparimin e vendit.
Sipas Kocevskit, për të pasur sukses në luftën kundër krimit, duhet të krijohen edhe kushtet e nevojshme.
“Në rastin konkret në Prokurorinë Publike, këtë e theksoj disa herë, punojmë me një shërbim prokurorial me një të tretën e stafit të nevojshëm, që do të thotë rreth 360 të punësuar, ndërsa na duhen rreth 1.126. As në vitin 2024, as këtë vit 2025 dhe as për vitin e ardhshëm, nga ana e Ministrisë së Financave nuk na lejohet asnjë punësim”, deklaroi Kocevski, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve para seancës së sotme të Këshillit të prokurorëve publik.
I pyetur për njoftimet e qeverisë se do të ndërmarrë masa në drejtësi pas përfundimit të zgjedhjeve lokale, Kocevski tha se i vlerëson ato më shumë si deklarata politike.
Sipas Ligjit për prokurorinë publike, theksoi Kocevski, për qindja e fondeve për PP-në duhet të jetë 0,4 për qind e BPV-së, ndërsa tani, si edhe vitin e kaluar parashihet 0,2 për qind.
“Pavarësisht kësaj, përmes Ligjit të ri për prokurorinë publike synohet që përqindja të rritet deri në 0,5 për qind. Kjo do të thotë se shuma e fondeve në para është e njëjta si vitin e kaluar, ashtu edhe këtë vit, si dhe për vitin e ardhshëm”, theksoi Kocevski.





