15.8 C
Skopje
Thursday, October 23, 2025

Dy zjarrvënie në dy lokacione të ndryshme, policia punon në zbardhjen e rasteve

Në Shkup janë regjistruar dy raste të zjarrvënies brenda pak orësh. Pos dëmeve materiale, nuk ka persona të lënduar. Njëri zjarr ndodhi në orët e hershme të mëngjesit, në fshatin Jurumleri, ku zjarri ka përfshirë një çati, një pjesë të fasadës së shtëpisë, një makinë dhe një motoçikletë.

“Më 23.10.2025, në orën 03:22, në SPB Shkup, J.J. (25) nga Shkupi ka raportuar se në fshatin Jurumleri, të Shkupit, ka shpërthyer një zjarr, me ç’rast është djegur çatia dhe një pjesë e fasadës së shtëpisë, si dhe automjeti “Opel Astra” me targa të Shkupit, në pronësi të raportuesit, dhe një motoçikletë “Honda” në pronësi të G.S. (22) nga Kumanova”, tha Goce Andreevski, Zëdhënës i MPB-së.

Zjarri tjetër ndodhi pak orë më herët në territorin e Çairit, ku është djegur një automjet i tipit “Mercedes” me targa të Shkupit.

“Më 22.10.2025, në orën 22:10, në SPB Shkup, Sh.A. (50) nga Shkupi ka raportuar se në hapësirën e parkimit para shtëpisë së tij, në territorin e Çairit, është djegur automjeti “Mercedes” me targa të Shkupit, në pronësi të firmës së tij”, deklaroi Goce Andreevski, Zëdhënës i MPB-së.

Ky zjarr është shuar nga vetë raportuesi dhe kalimtarë të rastit, ndërsa nuk ka të lënduar. Në të dyja rastet është kryer ekspertizë në vendngjarje dhe po ndërmerren masa për zbardhjen e këtyre rasteve. /Alsat.mk

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit